Krijohet kalifati islamik
Kreun e saj, Abu Bakr al-Bagdadi, organizata sunite e shpalli Kalif apo “drejtues të muslimanëve kudo qofshin”............

Ajo së cilës i druheshin liderët e Irakut e udhëheqës të tjerë perëndimorë ndodhi. Militantët e ISIS-it deklaruan krijimin e Kalifatit, apo shtetit islamik në territoret e kontrolluara prej këtij grupi në Irak e Siri.
Kreun e saj, Abu Bakr al-Bagdadi, organizata sunite e shpalli Kalif apo “drejtues të muslimanëve kudo qofshin”.
Shteti islamik nuk ka detyrime ligjore apo pretekste, që të justifikojnë vonesat në shpalljen e Kalifatit”, tha Abu Muhammad al-Adnani, zëdhënës i ISIS.
Krijimi i një Kalifati nën sundimin e ligjit islamik ka qenë prej kohësh qëllim parësor i xhihadistëve. Ky term historik përdorej në të shkuarën për t’iu referuar një vendi sovran me popullsi plotësisht muslimane.
Ambiciet për të krijuar një shtet të tillë dhe mosrespektimi i urdhrave ishin arsyeja përse udhëheqësit e al-Kaedës e dëbuan ISIS-in në fillim të vitit. Madje, filiali zyrtar i rrjetit më të madh terrorist të botës, në muajin Janar, iu bashkua kryengritësve sirianë për t’i përzënë luftëtarët e këtij grupi, nga Alepo dhe qytete të tjera kufitare.
Zhvillimet e fundit vijnë në kohën, kur ushtria irakiane e vazhdon ofensivën madhore në Veri, me qëllim rimarrjen e Tikritit të pushtuar prej militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Levant.
Vendlindjen e Sadam Husein-it, këta të fundit e vunë nën kontrollin e tyre më 11 Qershor, gjatë kohës kur përparonin me shpejtësi në veriperëndim të vendit.
