Maqedoni
Vrasja e 4-vjeçarit, Almir Aliu, avokatët: Prokuroria po mbron krimin. Familja Aliu kërkon drejtësi
13.11.2017 15:03
Avokatët mbrojtës në rastin për vrasjen e Almiri Aliut 4-vjeçar nga Kumanova dhe familjarët e tij hedhin dyshime mbi prokuroren publike për tentim që të rikualifikojë veprën...

Ata thonë se prokuroria nuk ndjek por mbron krimin duke luajtur rolin e avokatit mbrojtës. Sipas tyre, prokuroria në rrethana të paqarta ka urdhëruar të realizohet video-incizim në vendin e ngjarjes një vit më pas, me qëllim të vërtetojë se i akuzuari nuk ka mundur të shmangë vrasjen për shkak të frekuentimit të madh të veturave dhe këmbësorëve në këtë rrugë.
Për këtë dhe shumë arsye, avokatët shprehin dyshimin se në fjalët përfundimtare për këtë rast që është caktuar për më 15 nëntor, prokuroria do të rikualifikojë veprën dhe do të kërkojë dënim më të ulët për të akuzuarin.
“Ne si avokat të familjes Aliu na fut në dyshim që fillimisht prokuroria, mandej dhe gjykata, janë futur në mundësi të ndihmesës maksimale të personit që e ka kryer veprën penale. Video-incizimi flet për dendësinë e kalueshmërisë. Video-incizimi i ngjarjes dhe video-incizimi i bërë një vit më pas aspak nuk korrespondon as për nga numri i veturave të parkuara as për frekuencën e personave të cilët frekuentohen në rrugë, padyshim se kjo provë ka për qëllim të na bind se e gjithë kjo ka ndodhur për shkak të frekuentueshmërisë së madhe dhe të pamundësisë që personi që ka kryer veprën penale t’i shmanget të njëjtës”,- tha avokati, Ibraim Bajrami.
“Një dëshmi e tillë nuk është paralajmëruar. Ne duam vetëm ata që dëshmitë e tregojnë, posaçërisht video-incizimi, aty ka vrasje, qëllim dhe lëvizje të qartë”,- u shpreh avokati mbrojtës, Asmir Alispahi.
Familjarët e Almir Aliut shprehin shqetësimin e tyre se pse prokuroria ndihmon krimin në këtë rast. Ata theksojë se prokurorja e angazhuar në këtë rast ka ndërprerë procedurën hetimore për vëllanë e të akuzuarit, Bojan Iliq, edhe pse i njëjti pas aktit tragjik me shufra hekuri ka sulmuar familjarët.
“Edhe e kam humb djalin dhe jam i akuzuar për dhunë. D.m.th. qartë shihet në video se vëllai i tij, Bojan Iliq, pasi na ka shkelur, ka dalë me shufër metali na ka sulmuar të gjithëve, mua vëllanë dhe nipin. Nga policia e Kumanovës i kanë lëshuar padi vëllait të tij, mirëpo prokurorja, Suzana Kosugevska, shihet se është në anën e tij jo si prokurore, por si mbrojtëse e ka tërhequr lëndën. Tani më 15 presim vendimin, por po shihet prej fillimi se si do të merret ky vendim”,- theksoi babai i Almirit, Sedat Aliu.
“Mos të politizohet kjo punë, por le të dalë drejtësia deri në fund. Vëllai i tyre, Bojan Iliq, ka qenë në procedurë, por e kanë larguar tërësisht, e ka tërhequr prokurorja, edhe ai duhet të akuzohet së bashku me Boban Iliqin, se ai ka dalë dhe ka sulmuar aq sa ka mundur familjarët që kanë qenë aty prezent”,- deklaroi xhaxhai i Almiri, Nijazi Aliu.
Mbrojtja thekson se gjykata nuk u ka pranuar tre dëshmitarë okularë për rastin, ndërsa vetura, si mjet me të cili është kryer krimi, akoma nuk është konfiskuar.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
