Zgjedhjet lokale në Çair, Ganiu: Pres të filloj me zbatimin e programit, Ibraimi: Zgjedhjet ishin të manipuluara
Kandidati nga radhët e BDI-së, Visar Ganiu, i cili sipas rezultateve nga rivotimi....

Kandidati nga radhët e BDI-së, Visar Ganiu, i cili sipas rezultateve nga rivotimi në njësinë zgjedhore 2901 mori më shumë vota në komunën e Çairit, pret që të kalojnë afatet ligjore për t’u certifikuar përfundimisht si kryetar komune dhe që të fillojë me zbatimin e programit zgjedhor. Procesin zgjedhor ai e ka cilësuar demokratik dhe shprehje e vullnetit të banorëve të kësaj komune.
“Zgjedhje ku të gjithë qytetarët në mënyrë dinjitoze kanë mundur ta shprehin mendimin e tyre të lirë. Të gjitha projektet, prioritet në programin tim, por do të fillojmë nga ata që mund t’i realizojmë në javët e para, në muajt e parë. Kështu që kemi bërë një strategji se si të intervenohet në komunën e Çairit dhe mendoj se gjithë atë plan të cilin e kemi përpiluar sipas rrjedhës do ta realizojmë”,- deklaroi Visar Ganiu nga BDI.
Nga ana tjetër, kandidati i Lëvizjes BESA, Zekirija Ibraimi, mbetet në qëndrimin e dhënë mbrëmë pas mbylljes së kutive të votimit, ku vlerësoi se tërë procesi i zgjedhjeve në komunën e Çairit ka qenë jodemokratik, ndërsa anulimi i vendvotimit ku u përsërit votimi, sipas Ibrahimit, është bërë për t’i legjitimuar zgjedhjet e manipuluara.
“Në fakt ne e dinim se mirëfilli i anulimit të këtij vendvotimi bëhet vetëm për t’i legjitimuar zgjedhjet e manipuluara. Që kur nuk u pranua të hapen kutitë dhe të shihet dhe si u bë që të kemi 1 mijë fletëvotime të pavlefshme, ishte e qartë se çfarë rezultati do të kemi sot. Ata deshën që përmes kësaj kutie t’i legjitimojnë 85 kutitë e tjera të manipuluara”,- tha Zekirija Ibraimi nga Lëvizja BESA.
Sipas Kodit Zgjedhor, partitë politike kanë afat prej 48 orëve që të parashtrojnë ankesë në KShZ. Nëse partitë politike deri në afatin e caktuar kohor nuk dorëzojnë ankesa në KShZ, duhet ta certifikojnë kandidatin i cili ka fituar më shumë vota në komunën e Çairit për kryetar komune. (Naim Ramadani, TVM2)
