Timonie: në “Zhan Mone” presim të gjithë aktorët politikë
Në takimin e paralajmëruar të partive politike të Maqedonisë në vilën “Zhan Mone” në Paris...

Në takimin e paralajmëruar të partive politike të Maqedonisë në vilën “Zhan Mone” në Paris, pritet pjesëmarrja e të gjithë aktorëve politikë, deklaroi ambasadori francez në Maqedoni, Kristian Timonie, sipas të cilit kjo do të shprehte gatishmërinë se ata do të punojnë së bashku që ta përshkojnë rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Para së gjithash ata duhet të pajtohen që të vijnë të gjithë, ky është parakushti. Kuptova që në kuvend kanë arritur marrëveshje në parim. Por, gjithsesi, nëse marrëveshja mes partive nuk arrihet në Maqedoni, gjithnjë ka mundësi që të arrihet në Paris. Për ne kjo është punë e partive në Maqedoni, ne kuptohet do të jemi vetëm nikoqirë të mirë. Por, sidoqoftë, partitë duhet në mënyrë shumë konkrete të gjejnë mundësi që të bashkëpunojnë me qëllim që të përshkojnë rrugën drejt Bashkimit Europian. Nëse partitë në Maqedoni nuk mund të arrijnë marrëveshje të bashkëpunojnë, shtrohet pyetja se cili do të jetë vendi i Maqedonisë në Union. Por, sigurisht që përgjigjen për këtë duhet ta japin politikanët në Maqedoni”,- deklaroi ambasadori i Francës në RM, Christian Timonie.
