Ligji për gjuhët, vazhdon diskutimi në seancë plenare

13.11.2017 18:03

Kuvendi vazhdoi diskutimin rreth propozim ligjit për përdorimin e gjuhëve....

Kuvendi vazhdoi diskutimin rreth propozim ligjit për përdorimin e gjuhëve, pas ndërprerjes për shkak të fushatës për zgjedhjet lokale. Pushteti dhe opozita vazhduan argumentimin “pro” dhe “kundër” rreth propozim ligjit, i cili parasheh përdorim të avancuar të gjuhës shqipe.

Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së, ligji është jashtë kornizave të Kushtetutës dhe mundëson dygjuhësi edhe në komunat ku nuk banojnë shqiptarë.  

“Nuk jam kundër përdorimit të gjuhës shqipe në harmoni me kushtetutën. Kjo është rregulluar me paragrafin katër dhe pesë të nenit shtatë të Kushtetutës. Propozim ligji i tanishëm nuk nënkupton përdorim zyrtar të gjuhës shqipe atje ku është nevoja dhe ku është e drejtë e garantuar me kushtetutë. Të mos vendoset dygjuhësi në komunat ku nuk ka shqiptarë”,- u tha nga VMRO-DPMNE.

Deputetët e shumicës hodhën poshtë pretendimet e deputetëve të opozitës. Sipas tyre, ligji është në harmoni me kushtetutën dhe ka marrë pëlqimin e qytetarëve në zgjedhjet lokale, marrë parasysh rezultatin zgjedhor dhe faktin se debati rreth kësaj çështje u zhvillua para zgjedhjeve.

“Unë mund të kem mirëkuptim për qasjen tuaj restriktive në leximin e kushtetutës, por kërkoj respektin tuaj për qasjen liberale të leximit tim të kushtetutës. Qasjen afirmative. Pikërisht këtë kërkojmë ne që kushtetuta e RM-së të mos jetë pengesë e shfrytëzimit, praktikimit të të drejtave”,- u shpreh Xhevat Ademi nga BDI.    

“Qytetarët në zgjedhjet lokale treguan se çfarë mendojnë rreth kësaj çështje. E ndërpremë diskutimin rreth kësaj pike dhe u mbajtën zgjedhjet lokale. Një shumicë e madhe ju treguan se çfarë mendojnë për atë se si e udhëhiqni këtë diskutim”,- u tha nga LSDM.

Ligji për përdorimin e gjuhëve, ndër të tjera, parasheh që emrat e institucioneve shtetërore të shkruhen edhe në gjuhën shqipe si dhe në gjuhën angleze; uniformat e policisë, zjarrfikësve, të shëndetësisë në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare ndryshe nga gjuha maqedonase, do të shkruhen edhe në gjuhën shqipe; dhe seancat e Kuvendit do të mund të udhëhiqen edhe në shqip. (Shpëtim Nuredini, TVM2)