Osmani dhe Dimitrovi në Bruksel, takim me ministrat e jashtëm europianë

13.11.2017 18:31

Progresi i Maqedonisë në drejtim të reformave....

Progresi i Maqedonisë në drejtim të reformave, ishte tema kryesore për të cilën u bisedua në takimet e zëvendëskryeministrit, Bujar Osmani, dhe ministrit të jashtëm, Nikolla Dimitrov, me ministrat e  jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, në Bruksel. Rezultatet apo të arriturat sa i përket implementimit të planit 3-6-9 ishte ajo të cilën zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, e prezantoi para ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së. 

Fokusi i masave dhe aktiviteteve të pjesës së parë të Planit - pjesës tre, - ishte krijimi i kushteve dhe mbajtja e zgjedhjeve të përkryera, gjë që kishim sukses dhe që u konfirmua nga ana e të gjitha organizatave të vendit dhe ndërkombëtare”,- theksoi Osmani.

Më tej Osmani referoi edhe në lidhje me përgatitjet e pjesëve tjera të planit, në të cilën parashihen reforma në më shumë fusha, si në gjyqësor, administratë publike, reforma në shërbimet e inteligjencës, luftën kundër korrupsionit, reformat në media dhe polici, me qëllim të fillimit të negociatave për anëtarësim në strukturat euroatlantike. 

“Pas zgjedhjeve, qeveria përsëri në mënyrë agresive u është e përkushtuar reformave dhe plotësimit të Planit 3-6-9, i cili në vete përfshin të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet e raporteve relevante edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, sepse qëllimi ynë është që pas implementimit të tij të mos vijojë pjesë e re 12, por fillimi i negociatave”,- tha Osmani në takimin me ministrat e jashtëm europianë.

Edhe ministri Dimitrov theksoi angazhimin e qeverisë në drejtim të reformave. 

“Patëm sukses të kthehemi në shtegun tonë euroatlantik, ndërsa BE pati sukses të kthejë vëmendjen politike drejt Ballkanit. BE-ja ka përgjegjësi ta vërtetojë ardhmërinë tonë europiane, ndërsa ne jemi të obliguar për ardhmërinë tonë në këtë rrugë. Pasja e vullnetit politik, orientimi për reforma dhe mbështetja e miqve tanë ndërkombëtarë janë faktorë kyç për vulosjen e ardhmërisë tonë europiane”,- theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Dimitrov.

Në vigjilje të këtyre takimeve është paraparë edhe takimi i ministrit Dimitrov me ministrin e jashtëm grek, Nikos Kotzias. (Ersan Pajaziti, TVM2)