Nju Delhi, smogu toksik 10 herë mbi limitin e lejuar

13.11.2017 19:12

Një re e trashë smogu toksik 10 herë më e dendur se sa limiti i lejuar...

Një re e trashë smogu toksik 10 herë më e dendur se sa limiti i lejuar mbuloi kryeqytetin indian, Nju Delhi, ndërsa autoritetet kanë dështuar në marrjen e masave për uljen e grimcave helmuese.

Ambasada amerikane në Nju Delhi tha se matjet tregojnë se grimcat helmuese në ajër, që njihen si PM2,5, kanë arritur në 495, nga 50 që është limiti.

Zyrtarë indianë deklaruan se shiu i parashikuar për ditët e ardhshme pritet që të pastrojë disi ajrin e ndotur.

Në një tentativë qesharake për të imituar shiun, u nxorën në rrugë kamionë që të spruconin ujë në ajër, por dështimi ishte i pashmangshëm. Autoritetet në Nju Delhi shpallën emergjencën e shëndetit publik javën e shkuar pas rritjes së frikshme të ndotjes në kryeqytet.

Të hënën disa shkolla u hapën, por është ende në fuqi paralajmërimi për banorët që të shmangin daljet e zgjatura në qytet.

Banorët e Nju Delhit thonë se kanë kaluar në një nivel të ri të ndërgjegjësimit për ndotjen, pasi tashmë smogun jo vetëm që e shohin dhe e nuhasin, por prej ditësh ndiejnë edhe shijen e tij të hidhur.