Tërmeti në kufirin Iran-Irak, të paktën 396 të vdekur e mijëra të lënduar
Ka arritur në 396 të vdekur, mijëra të plagosur....

Ka arritur në 396 të vdekur, mijëra të plagosur, bilanci tragjik i deritanishëm i lëkundjeve të forta të tokës, që tronditën zonën kufitare mes Iranit e Irakut. Lëkundjet, që arritën një magnitudë prej 7.2 të shkallësh të Rihter, sipas matjeve të Institutit Amerikan të Gjeologjikes.
Vetëm në Iran njoftohet për mbi 4 mijë të plagosur, kryesisht në provincën perëndimore Kermanshah. Epiqendra e tërmetit u regjistrua në 31 kilometra larg qytetit irakian të Halabjasë, në një thellësi prej 40 kilometrash. Qyteti ndodhet në provincën kurde të Irakut, Sulejmanije, atje ku janë shënuar edhe dëmet më të mëdha. Bilanci i viktimave pritet të rritet gjatë orëve në vazhdim, pasi ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja. Shumica e tyre që kana arritur të dalin nga rrënojat tregojnë tmerrin e përjetuar.
"Një mur u rrëzua mbi mua dhe mbeta nën gërmadha",- tha një i mbijetuar.
"Isha duke dalë nga shtëpia kur tërmeti goditi vendin, por unë u futa brenda nga frika dhe mu godit koka në xham, si dhe preva dorën mbi copat e xhamit",- theksoi një i mbijetuar.
“Kur goditi tërmeti, unë isha shtrirë në shtratin tim dhe nuk e ndjeva mirë. Fëmijët e mi po shihnin TV në dhomën tjetër. Ata filluan të bërtisnin: nënë, zgjohu, po bie tërmet! Ne të gjithë vrapuam në korridor dhe mund të shihnim shtëpinë që po shembet pas nesh dhe të dëgjojmë zërin e gjërave që bien. Arritëm në hyrje të korridorit dhe u bllokuam. Por, arritëm ta hapnim atë dhe të shkonim në portën kryesore, një mur ra mbi shpatullat e mia dhe më ndau nga biri im. Unë mendoj se ishte vetëm Zoti ai që na shpëtoi",- u shpreh një e mbijetuar.
Një problem tjetër është diga e lumit Diyala, në veri të Irakut, e cila rrezikon të shembet dhe të mbulojë këtë zonë.
“Për shkak të tërmetit që goditi digën Darbandikhan, e cila është më e forta e ndërtuar gjatë njëqind viteve të fundit, ka një dëm shumë të qartë në majë të digës, ka çarje horizontale dhe vertikale në rrugë dhe në trupin e digës. Kjo paraqet një rrezik tjetër për këtë rajon”,- deklaroi drejtori i digave në Irak, Rahman Hani.
Lëkundjet ishin aq të forta, sa u ndjenë edhe në shtetet më të largëta si Izraeli, Pakistani, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti e Libani. Irani përballet vazhdimisht me lëkundje të forta toke, që kanë shkaktuar me mijëra viktima. Përmes territorit iranian kalon vija ndarëse mes pllakave tektonike të Arabisë dhe Euroazisë, që sipas ekspertëve janë tepër aktive dhe përplasen vazhdimisht. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
