Zaev optimist, së shpejti mund të gjendet zgjidhje për emrin
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev pret më 20 apo 21 nëntor të mbahet takimi....

Kryeministri Zoran Zaev, shpreson se Shkupi dhe Athina së shpejti mund ta gjejnë zgjidhjen për kontestin e gjatë me dekada lidhur me çështjen e emrit.
“Më 20 dhe 21 nëntor do të bëhet takimi i parë me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic, dhe shpresoj se ne do të gjejmë zgjidhje e jo ta vonojmë atë”, tha mbrëmë në Lubjanë kryeministri, Zoran Zaev, pas takimit me kryeministrin e Sllovenisë, Miro Cerar.
Greqia argumenton se emri Maqedoni implikon pretendime territoriale ndaj një rajoni grek me të njëjtin emër dhe për shkak të kësaj çështjeje, i ka bllokuar përpjekjet e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Kryeministri Zaev tha se shpreson se bisedimet për pranim në Bashkimin Evropian do të fillojnë vitin e ardhshëm. Takimi me palën greke në muajin nëntor, do të jetë i pari prej se Zoran Zaev është kryeministër i Maqedonisë.
Vizita e delegacionit qeveritar në Slloveni vazhdon edhe sot me takime me afaristët sllovenë, kryeparlamentarin Ilan Bërglez dhe me presidentin Slloven, Borut Pahor. Në përbërjen e delegacionit të lartë të RM-së, janë edhe ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski, ministri për Diasporë Edmond Ademi dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Jashtme, Viktor Dimovski.
