Në Maqedoni 147 mijë njerëz vuajnë nga sëmundjet kronike në mushkëri

14.11.2017 10:07

Në Republikën e Maqedonisë 147.000 njerëz vuajnë nga sëmundjet kronike...

Në Republikën e Maqedonisë 147.000 njerëz vuajnë nga sëmundjet kronike obstruktive të mushkërive (SKOM).

Nën moton "Fytyrat e shumta të SKOM", nesër do të shënohet Dita Botërore e SKOM, ndërsa qëllimi është ngritja e vetëdijes, informimi i publikut për manifestimet, pasojat e mundshme dhe mundësitë parandaluese dhe terapeutike, me ç'rast do të mundësohej diagnostifikim në kohë dhe përmirësim i kujdesit për pacientët.

Të dhënat për të sëmurët që trajtohen në ambulanca dhe të hospitalizuar me SKOM në Klinikën për Pulmologji dhe Alergji tregojnë trend rritës në katër vitet e fundit (në vitin 2014 - 3.195 pacientë në ambulancë dhe 523 të hospitalizuar, 2015 - 3.737 në ambulancë dhe 586 të hospitalizuar, 2016 - 4.320 në ambulancë dhe 610 të hospitalizuar, 2017 - 3.587 në ambulancë (20 për qind prej të gjitha ekzaminimeve) dhe 654 hospitalizime (që përfaqësojnë 42 për qind të të gjithë pacientëve të hospitalizuar).

Sipas të dhënave OBSH-s, 328 milionë njerëz vuajnë nga SKOM, që paraqet 5-10 për qind të popullsisë botërore, edhe atë 168 milionë burra dhe 160 milionë gra. Sipas hulumtimeve të fundit, rreth tre milionë njerëz vdesin çdo vit nga SKOM.

Përqindja më e madhe e tyre (më shumë se 90 përqind) ndodhin në vende më pak të zhvilluara dhe të mesme.