Ligji për gjuhët - për pushtetin një hap drejt bashkëjetesës, për opozitën drejt dygjuhësisë së plotë
Propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve është në pajtueshmëri me Kushtetutën...

Propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve është në pajtueshmëri me Kushtetutën, nuk e prish karakterin unitar të shtetit dhe do të kontribuojë për rritjen e bashkëjetesës në shtet, konsiderojnë deputetët nga partitë e pozitës. Për opozitën, madje, ai del nga kornizat e Kushtetutës, me të shkelen procedurat, zbatimi i tyre do të çojë drejt dygjuhësisë në të gjithë shtetin dhe drejt diskriminimit të bashkësive të tjera më të vogla.
Me qëndrime të këtilla kundërshtuese dje vazhdoi debati në Kuvendin e Maqedonisë për këtë Propozim-ligj, pasi u ndërprit për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
Gjatë vazhdimit të djeshëm të debatit në kuadër të seancës së 15-të të Kuvendit deputeti Panço Minov nga VMRO-DPMNE-ja tha se është për gjuhë shqipe si gjuhë zyrtare, por, siç potencoi, vetëm në kuadër të Kushtetutës, ndërsa jo për vendosjen e dygjuhësisë edhe atje ku nuk jetojnë shqiptarë.
Potencoi se e kundërshton edhe mbajtjen e seancave të Kuvendit në gjuhën shqipe. Kështu, sipas tij, do t'u nevojitet përkthim dhe do të shndërrohen në "deputetë-kufje".
Ndaj kësaj replikoi deputeti Xhevat Ademi nga BDI-ja, i cili e porositi se që të mos vihet deri te ajo që të jetë "deputet - kufje", duhet ta mësojë gjuhën shqipe.
"Duhet mësuar gjuha shqipe që të mund të komunikosh me mua siç mund të komunikoj unë me ty", tha Ademi.
Me këtë propozim-ligj, tha ai, vetëm bëhet përfundim i një teme pa u dëmtuar e drejta e bashkësive të tjera.
Ligji është në lexim të parë, me ç'rast, deputetët e shumicës theksojnë se në këtë fazë vetëm konstatohet nevoja për miratimin e një zgjidhjeje të këtillë ligjore dhe se debati material për dispozitat ligjore do të hapet në lexim të dytë. Nga opozita paralajmëruan se në fazën e dytë do të propozojnë amendamente për korrigjim të kësaj zgjidhjeje dhe harmonizimin e tij me Kushtetutën e shtetit.
Debati kuvendor për Propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve duhet të vazhdojë edhe gjatë ditëve të ardhshme.
Me ligjin parashikohet që të gjitha organet shtetërore në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridik të cilët kryejnë autorizime në pajtueshmëri me ligjin dhe institucione të tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase do të jetë edhe gjuha e atyre që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, (gjuha shqipe). (mia.mk)
