“Monstra”, burg i përjetshëm për 6 të akuzuar
Gjashtë persona nga gjithsej 7 të akuzuarit në rastin “Monstra”, Alil Demiri, Afrim Ismailoviq, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta u dënuan me burg të përjetshëm nën akuzën “terrorizëm”.......

Gjashtë persona nga gjithsej 7 të akuzuarit në rastin “Monstra”, Alil Demiri, Afrim Ismailoviq, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta u dënuan me burg të përjetshëm nën akuzën “terrorizëm”.
Nga akuza është liruar vetëm Rami Sejdi, të cilit i është hequr edhe masa e paraburgimit. Për sjelljen e vendimit në fjalë, gjykatësi kryesisht ishte bazuar në dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur dhe dëshminë e Haki Hazirit para hetuesisë, dëshmi të cilën vetë Haziri e demantoi më vonë, duke thënë se i është marrë me dhunë dhe kërcënime.
“Gjykata, në emrin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë ka miratuar aktvendimin e radhës: të akuzuarit, Alil Demiri, Afrim Ismailoviq, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri, Sami Luta i shpall fajtorë për veprën penale “terrorizëm” dhe i gjykon me dënim të përjetshëm, ndërsa i akuzuari, Sejdi Rami, në bazë të nenin 368, paragrafi 1, pika 3, Gjykata e liron nga akuza, pasi për të nuk u dëshmuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, deklaroi gjykatësi i rastit “Monstra”, Ivica Stefanovski.
Ndonëse gjykatësi tha se nuk drejtohet nga emocionet, por nga faktet dhe Ligji, ai gjatë leximit të arsyetimit për aktakuzën pranoi se aspak nuk janë marrë parasysh dëshmitë që ka siguruar mbrojtja.
“Nga ana e mbrojtjes, u dëgjuan një numër i madh i dëshmitarëve të cilëve gjykatësi nuk iu dha besimin, pasi që ishin kontradiktorë para së gjithash me veten, e më pas edhe mes vete. Ishin jologjik, shpjegonin dhe përsërisnin deklaratën e dëshmitarit të dëgjuar më parë, ishin me ndjenja, për shkak të lidhjes së tyre të ngushtë familjare”, theksoi gjykatësi i rastit “Monstra”, Ivica Stefanovski.
Avokati mbrojtës, Naser Raufi, thotë se ky vendim konfirmoi cenimin e sundimit të së drejtës, shtetit ligjor dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor.
“Ky është një aktvendim që nuk mund të komentohet, tregon edhe argumenton se është larg pavarësia e gjyqësorit dhe duhet të kalojë shumë kohë që Gjykata jonë të jetë e pavarur, do të ankohemi dhe mendoj se do të kemi sukses. Vetë vokabulari i gjykatësit kur tha se ka dyshime, do të thotë se ky vendim tërësisht është i bazuar në dyshime dhe jo në prova”, u shpreh avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Familjarët e të akuzuarve vendimin e quajtën të padrejtë dhe të ndikuar nga politika.
“Kush është i fortë sjell edhe aktgjykim, çdo gjë është bërë me forcë, me montim, por u realizuan sot disa projekte, të cilat sigurisht i kishin si aspirate për ta heq dikë qafe nga një pronë, e cila ishte legalisht e marrë dhe sigurisht se Gjykata e eprorëve të tyre nuk do t’ua kthente fjalën, e cila ishte që në fillim se i kemi gjetur vrasësit dhe duhet dënuar kaq, sot u realizua ajo. Do të vijë koha të zbardhet rasti, por këto si duket nuk turpërohen”, potencoi familjari, Bedri Ajdari.
Edhe pse njëri prej të akuzuarve u lirua nga akuza, avokati i tij nuk i është gëzuar vendimit, pasi thotë se edhe të akuzuarit tjerë janë të pafajshëm.
“Unë nuk mund të jem i lumtur në këtë moment për arsyen e vetme, se unë jam i bindur se të gjithë të akuzuarit e tjerë janë të pafajshëm. Gjatë procedurës nuk kishte ndonjë dëshmi të fortë, që do të dëshmonte fajin e të akuzuarve që sot u shpallën fajtorë. Nuk pamë armë, si janë përdorur ato, vetëm një dëshmitarë i mbrojtur që jepte deklarata paushalle”, tha avokati mbrojtës i Rami Sejdiut, Mitko Sollakov.
Gjykimi për këtë rast filloi më 20 dhjetor dhe deri më tani janë zhvilluar 42 seanca gjyqësore. Katër të dënuarit me burg të përjetshëm do të qëndrojnë në paraburgim deri në hyrjen në fuqi të aktvendimit, pas shterjes së ankesave.
Afrim Ismaili dhe Alil Demiri, që momentalisht vuajnë dënim në Kosovë, për këtë vepër sot u dënuan në mungesë të tyre. (Florije Kamberi, TVM2)
