Botë

May sulmon Putinin: E dimë çfarë po bëni, por nuk do keni sukses

14.11.2017 14:12

Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, ka sulmuar Rusinë, duke e akuzuar atë për rrezikimin e sigurisë globale...

Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, ka sulmuar Rusinë, duke e akuzuar atë për rrezikimin e sigurisë globale, ndërhyrjen në zgjedhje, sulmet e piraterisë dhe përhapjen e lajmeve të rreme.
 
Duke iu drejtuar figurave kryesore të biznesit, kryeministrja britanike tha se qeveria e Vladimir Putinit po përpiqet të dëmtojë shoqëritë e lira dhe se rusët krijojnë histori të rreme për të shkaktuar mosmarrëveshje në perëndim. “Unë kam një mesazh shumë të thjeshtë për Rusinë.
 
E dimë se çfarë po bëni dhe nuk do të keni sukses. Ju nënvlerësoni rezistencën e demokracive tona, tërheqjen e fortë të shoqërive të hapura dhe angazhimin e vendeve perëndimore ndaj aleancave që na bashkojnë.
 
Presidenti rus duhet të zgjedh një rrugë tjetër dhe të mos vazhdojë atë që solli aneksimin e Krimesë, nxitjen e konfliktit në Ukrainë apo sulmet kibernetike ndaj qeverive dhe parlamenteve në Europë, porositi May.
 
Komentet e kryeministres britanike janë në kontrast të fortë me ato të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili tha se i beson mohimit të presidentit Putin për ndërhyrjen në zgjedhjet e 2016-s në ShBA.