Botë

Iran, zi kombëtare pas tërmetit, mijëra persona nën qiell të hapur, presin ndihma

14.11.2017 14:28

E marta është shpallur zi kombëtare në Iran pas tërmetit shkatërrues me magnitudë 7.3 ballë, që mori jetën e më shumë se 430 personave dhe rreth 700 të tjerë u lënduan...

Mijëra iranianë kaluan natën e dytë në qiell të hapur dhe në temperatura thuajse zero. Qeveria po përpiqet që të dërgojë ndihmë në zonat e goditura më rëndë, në provincën malore Kermanshah, ku qindra shtëpi janë shkatërruar.

Rreth 70 000 njerëz kanë nevojë për ndihmë dhe strehë, ndërsa OKB bëri me dije se ishte e gatshme të ndihmonte nëse Irani e kërkon këtë. Aktualisht, dhjetëra ekipe të Gjysmëhënës së Kuqe po punojnë në zonën e goditur nga tërmeti, ku në pjesën më të madhe mungon uji dhe energjia elektrike, ndërsa raportohet se rrugët e bllokuara nga tërmeti po pengojnë ndjeshëm përpjekjet për të ndihmuar njerëzit.