Trafikimi me njerëz, Nuhiu: Masa për të menaxhuar me situatën; Timonie: Mbështesim luftën kundër kësaj dukurie
Nga viti 2013 deri në vitin 2017 në Maqedoni janë identifikuar 33 viktima....

Nga viti 2013 deri në vitin 2017 në Maqedoni janë identifikuar 33 viktima nga trafikimi me njerëz, prej të cilëve 22 janë fëmijë, ndërkaq numri më i madh i viktimave janë gra dhe fëmijë.
Kjo u tha sot në takimin e koordinatorëve nacionalë të vendeve të Europës Juglindore kundër trafikimit me qenien njerëzore. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, tha se komisioni i formuar do t’i kundërvihet seriozisht këtij fenomeni ku do të aplikojë masa preventive, ndërkaq do të ndërmarrë edhe masa adekuate për të menaxhuar me situata të trafikimit me njerëz.
“Çështja e trafikimit të qenieve njerëzore dhe migracioni i paligjshëm është një sfidë edhe për Maqedoninë. Në këtë kontekst ne kemi kuadër institucional adekuat, kemi themeluar një komision në nivel kombëtar dhe kemi koordinatoren në nivel kombëtar që ka kredibilitet profesional dhe moral që të udhëheq këtë trup shumë të rëndësishëm, që do të veprojë edhe në pikëpamje preventive, por pse jo edhe duke prezantuar masa adekuate për të menaxhuar me situatën konkrete”,- deklaroi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu.
Ambasadori i Francës, Kristijan Timonie, tha se Franca përkrah të gjitha vendet e Europës Juglindore në luftën kundër trafikimit me njerëz, ndërkaq në këtë luftë duhet të përfshihet edhe shteti, por edhe çdo qytetar.
“Çdokush mund të ketë një ide për këtë. Pa luftë të përbashkët kundër këtij fenomeni nuk mund t‘ia dalim. Shteti si shtet ka detyra, mistritë detyrime, por tek e fundit këto janë mjete, para. Është me rëndësi të krijohet një qasje e përgjithshme dhe e përbashkët për luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore”,- tha ambasadori i Francës në Maqedoni, Kristijan Timonie.
Në vitet e kaluara Maqedonia është karakterizuar si vend i prejardhjes së transitit dhe destinacionit të dhunës dhe trafikimit me njerëz, tha sekretarja shtetërore në MPB, Magdalena Nestorovka. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
