Kontesti për emrin Maqedoni-Greqi, Zaev: Presim së shpejti të gjendet zgjidhje
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, është shprehur optimist....

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, është shprehur optimist se Maqedonia dhe Greqia ndodhen në fazën kur mund të pritet të gjejnë gjuhë të përbashkët për të zgjidhur kontestin disavjeçar mes veti lidhur me çështjen e emrit. Ai pret intensifikim të takimeve në këtë drejtim.
“Më 20 apo 21 nëntor presim që të ndodhë takimi i parë midis përfaqësuesve të të dyja vendeve me ndërmjetësuesin, Metju Nimic. Në nëntor presim që këto bisedime të intensifikohen. Ne në Maqedoni po përpiqemi që të ndërtojmë konsensus nacional të gjithë, kryetari i shtetit, qeveria, opozita, por në funksion të gjetjes së zgjidhjes dhe jo të prolongimit të saj”,- deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Po ndërtojmë marrëdhënie miqësore me Greqinë dhe në një atmosferë të tillë miqësore besoj sinqerisht se është e mundur të gjendet zgjidhje për këtë çështje të hidhur, ka shtuar Zaev. Këto komente Zaev i ka bërë në Slloveni, ku së bashku me një delegacion qeveritar po qëndron për një vizitë zyrtare. (Naim Ramadani, TVM2)
