Maqedoni
Fakulteti i Veterinarisë shënon 90 vjetorin e themelimit, projekte të përbashkëta me Tiranën dhe Prishtinën
14.11.2017 16:00
Fakulteti i Mjekësisë Veterinere në Shkup shënoi nëntëdhjetë vjetorin e themelimit të institucionit të parë edukativ dhe shkencor në vend...

Trendet bashkëkohore, sfidat dhe nevojat e shkencës së veterinarisë janë temat që ligjërohen dhe ju kushtohet rëndësi e veçantë në kuadër të këtij fakulteti, thekson prodekania, Zehra Musliu. Nga viti 1927, me themelimin e Institutit të Veterinarisë fillojnë hulumtimet në këtë sferë dhe më pas avancohen me themelimin e Fakultetit të Veterinarisë.
“Më 1927 themelohet Instituti i Veterinarisë nga një profesor nga Zagrebi, megjithatë në vitin 2001 është themeluar Fakulteti i Veterinarisë, ku në vitin 2004 bashkë me institutin janë një institucion, sot kemi Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në kuadër të të cilit funksionojnë institutet e veterinarisë”,- tha prodekania e Fakultetit të Mjekësisë Veterinere, Zehra Musliu.
Përveç projekteve të përbashkëta me ekspertë nga rajoni, Fakulteti i Veterinarisë ka bashkëpunim me Fakultetin homolog në Tiranë në sferën e projekteve dhe këmbimit të kuadrit.
Ndërkohë, me Fakultetin e Veterinarisë në Kosovë tashmë është nënshkruar memorandum për fillimin e bashkëpunimit.
“Ajo që na ndan është asgjë, ajo që na bashkon është gjithçka, mes njëri-tjetrit shpeshherë ne kemi nevojë t’i tejkalojmë edhe çështjet që të tjerët i kanë krijuar, qoftë në plan politik apo aspekte tjera, shkenca dhe edukimi, profesorët dhe studentët duhet të jenë ata që duhet të lidhin kombet, kulturat dhe institucionet”,- u shpreh dekani i Fakultetit të Mjekësisë Veterinere në Tiranë, Luigj Turmalaj.
“Kemi arritur marrëveshje për bashkëpunim në sferën e këmbimit të studentëve me hulumtime të përbashkëta duke pasur parasysh afërsinë që kemi dhe të mundësojmë lëvizjen e studentëve me kosto të lirë për të dyja palët”,- theksoi dekani i Fakultetit të Bujqësisë në Kosovë, Skender Kaciu.
Duhet rritur buxheti për hulumtime shkencore në mënyrë që shkenca e veterinarisë të zhvillohet në hap me trendet më të reja bashkëkohore në Europë dhe botë, u tha me rastin e shënimit të jubileut të 90 të këtij fakulteti.
FLUTURA LATIFI
