Maqedoni

Rasti “Trust”, Koçan dhe të akuzuarit e tjerë nuk ndjehen fajtorë

14.11.2017 17:38

I akuzuari i parë në rastin “Trust”, Seat Koçan, të akuzuarit tjerë dhe përfaqësuesit e kompanive "Transmet", "Sileks" dhe "Vato"...

I akuzuari i parë në rastin “Trust”, Seat Koçan, të akuzuarit tjerë dhe përfaqësuesit e kompanive "Transmet", "Sileks" dhe "Vato", para trupit gjykues deklaruan se janë të pafajshëm, kështu duke mohuar veprën për të cilën ngarkohen në aktakuzë.
 
Sipas prokurorit publik special, Gavrill Bubevski, të akuzuarit me dokumentacion të rrejshëm kanë fituar tender nga Sh. A. “Elem”, prej të cilit kanë përfituar 17 milion euro.
 
Bubevski shtoi se duke pasur parasysh procedurën e fitimit të këtij tenderi, i njëjti është i pavlefshëm dhe paraqet përfitim të kundërligjshëm. Nuk përjashtohet mundësia që në këtë proces të përfshihen edhe persona të tjerë të involvuar nëse kjo vërtetohet gjatë procedurës, shtoi Bubevski. 
 
“Këta janë dy dëshmitarë të cilët duhet të vërtetojnë një pjesë nga ajo që e vërtetojnë dëshmitë materiale. Kryesorja e këtij procesi, pasi që bëhet fjalë për furnizim publik, është në dëshmitë materiale. Dokumentacioni i rrejshëm është esenca e kësaj vepre penale, kështu e ka paraparë ligjvënësi, pasi në këtë mënyrë e mbron konkurrencën dhe nuk lejon që me dokumentacione të rrejshme të arrish deri tek puna për të cilën më vonë, siç thanë, e kanë mbaruar. Nuk mund të punohet dhe mbarohet një punë deri tek e cila ke arritur pa dokumentacion valid. Rreziku për të hyrë në këtë punë është i yti, ti vet e di se hy në mënyrë kriminele, nëse më vonë të zbulojnë atëherë do t’i kthesh ato 17 milion euro”,- tha prokurori publik special, Gavrill Bubevski.
 
Avokati mbrojtës i të akuzuarit nga Kompania “Vata” theksoi se klienti i tij nuk ka pasur dokumentacion të rrejshëm meqë i njëjti është angazhuar pasi ka mbaruar procedura me tenderin për furnizim publik.
 
“Për mua është themelore se nga ana e klientit tim, Vato, nuk ka të dorëzuar asnjë dokumentacion të rrejshëm”,- theksoi avokati mbrojtës, Vanço Mitev.
 
Në fillim të seancës së sotme mbrojtja e të akuzuarve përsëri kërkoi anulim, pasi që nuk u janë dhënë të gjitha provat për shqyrtim. Prokuroria Publike Speciale në sallën e gjykatës ia dorëzoi mbrojtjes provat për rastin "Trust", me ç'rast gjykatësja vendosi të fillojë debatin kryesor. Me këtë reagim, sipas PPS-së, avokatët mbrojtës mundohen që me vërejtje formale të zvarrisin procesin.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI