Maqedoni
Ligji për gjuhët, miratimi në fazën e parë pritet të ndodh nesër
14.11.2017 17:56
Kuvendi e mbylli diskutimin për propozim ligjin rreth përdorimit të gjuhëve, në lexim të parë...

Kuvendi e mbylli diskutimin për propozim ligjin rreth përdorimit të gjuhëve, në lexim të parë, ndërkaq votimi pritet të ndodh ditën e mërkurë.
Edhe në diskutimin e sotëm opozita përsëriti qëndrimin se projekt ligji është jashtëkushtetues dhe diskriminues ndaj bashkësive më të vogla etnike, ndërsa shënimi i këtij pr/ligji me simbolin e BE-së paraqet shkelje procedure.
“Nuk mund të veçojmë dy gjuhë dhe të themi se ato janë sovrane në të gjithë territorin dhe se gjuhët e tjera u nënshtrohen atyre gjuhëve. Në këtë mënyrë ne bëjmë gradim mes qytetarëve të RM-së. Prandaj, ju ftoj të mbledhim energjinë dhe të diskutojmë në drejtim të ndërtimit të unitetit, në favor të përforcimit të kohezionit ndëretnik”,- deklaroi Emill Dimitriev nga VMRO-DPMNE.
Mirëpo për deputetët e shumicës, projekt ligji buron nga Marrëveshja e Ohrit dhe ka bazën në Kushtetutë.
Ndërkaq, qasja e deputetëve të VMRO-DPMNE-së konsiderohet si dyfytyrësi, marrë parasysh faktin që Ligji për përdorimin e gjuhëve është miratuar dhe ndryshuar gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së.
“Ligji për përdorimin e gjuhëve, kështu siç është përpiluar, bazën e ka në Marrëveshjen kornizë të Ohrit, në Ligjin aktual të gjuhëve dhe në amendamentin pesë të Kushtetutës së RM-së. Megjithatë, është konstatuar se ligji aktual ka shumë mangësi dhe është një kompilim i padefinuar”,- tha Gjylymsere Kasapi nga LSDM.
“Këtë shoqëri multietnike e kemi realitet brenda shtetit dhe obligimet e shtetit ndaj kësaj shoqërie multietnike cilat janë?! Dhe, unë prita nga kolegu deputet, si ish funksionar i lartë i shtetit, të reflektojë pozitivisht dhe ta tregojë realitetin, se shteti ndaj një komuniteti ka bërë të padrejta dhe është një e drejtë e cila na takon por na është mohuar”,- theksoi Ejup Alimi nga BDI.
Pas miratimit të projektligjit në fazën e parë, që pritet të ndodh nesër, do të pasojë debat i gjerë publik.
Partitë politike paralajmërojnë se në fazën e dytë do të ndërhyjnë me amendamente për të përmirësuar tekstin e ligjit. Ligji do të duhet të kalojë edhe filtrin e Komisionit të Venecias.
SHPËTIM NUREDINI
