Maqedoni

Rasti “Treqind”, mungon i akuzuari, anulohet seanca

15.11.2017 12:39

Ish-ndihmës ministri për Punë të Brendshme, Gjoko Popovski...

Ish-ndihmës ministri për Punë të Brendshme, Gjoko Popovski, nuk u paraqit në gjykimin e parë për lëndën penale “Treqind” të Prokurorisë Publike Speciale.

Seanca e parë për këtë rast u anulua me arsyetimin se i akuzuari nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk mund të marrë pjesë në gjykime, ndërsa nga mjeku i është rekomanduar pushim.

Popovski akuzohet për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve për sigurimin e 300 veturave për nevojat e policisë, me çka ka dëmtuar buxhetin e shtetit për pothuajse gjysmë milion euro, pasi që automjetet nuk janë siguruar nga kompania që ka ofruar ofertën më të lirë.

Prokurorja speciale, Fatime Fetai, theksoi se i akuzuari mund të jetë i kufizuar në ecje dhe qëndrim, por ai mund të flet dhe nuk është i palëvizëshëm.

“Njeriu edhe të jetë në shtrat të vdekjes duhet të përballet me akuzën”, tha Fetahi duke përkujtuar gjykatën se i akuzuari nuk ka dorëzuar pushim mjekësor të hapur, por vetëm rekomandim për pushim.

Prokurorja Fetahi paralajmëroi se në seancën e radhës do të sigurojë ekspert, i cili do të vërtetojë nëse me të vërtetë i akuzuari me këtë diagnozë nuk është në gjendje të marrë pjesë në gjykime.

Paraprakisht Gjykata e Apelit ka vendosur që Popovski mos të shkojë në paraburgim, por i është marrë pasaporta dhe është i obliguar që njëherë në javë të paraqitet në gjykatë dhe nuk guxon të lëshojë shtetin.

Gjykata e Apelit ka vendosur që “bombat” të jenë dëshmi në këtë rast. Këshilli për vlerësimin e aktakuzës pranë Gjykatës Themelore 1 ka refuzuar parashtresën e mbrojtjes dhe në tërësi e ka pranuar aktakuzën e PPS-së kundër Popovskit. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)