Maqedoni
Vrasja e Almir Aliut, anulohet seanca për fjalët përfundimtare
15.11.2017 13:04
Është anuluar seanca gjyqësore kundër Boban Iliqit, i cili akuzohet se më 25 qershor të vitit të kaluar ia mori jetën katërvjeçarit, Almir Aliut...

Seanca u anulua për shkaqe personale me kërkesë të Asmir Alispahiqit, avokatit mbrojtës të familjes Aliu. Seanca e radhës ku do të thuhen fjalët përfundimtare dhe më pas do të shpallet aktgjykimi, u caktua për më 29 nëntor.
Dy ditë më parë, familja Aliu dhe avokatët e tyre hodhën dyshimin se Prokuroria Publike po tenton ta rikualifikojë lëndën, duke mbrojtur krimin e duke luajtur rolin e avokatit mbrojtës të të akuzuarit.
Sipas tyre, prokuroria në rrethana të paqarta ka urdhëruar të realizohet video-incizim në vendin e ngjarjes një vit pas ngjarjes, me qëllim që të vërtetojë se i akuzuari nuk ka mundur ta shmangë goditjen ndaj 4 vjeçarit, për shkak të frekuentimit të madh të veturave dhe këmbësorëve në këtë rrugë. Në këtë mënyrë, sipas avokatëve të familjes së Almirit, prokuroria po mundohet të kërkojë dënim më të ulët për të akuzuarin, Boban Iliq.
Janë ndërprerë tashmë edhe hetimet ndaj vëllait të Iliqit, i cili gjithashtu ka sulmuar me shufra hekuri familjarët e 4 vjeçarit si dhe u hodhën poshtë edhe tre dëshmitarë të rinj të familjes Aliu.
Natën e 25 qershorit 2016, vetura e drejtuar nga Boban Iliq, shtypi për vdekje vogëlushin 4-vjeçar, Almir Aliun. Gjithçka ndodhi pas një zënke banale për radhën e kontrollit në shtëpinë e shëndetit të Kumanovë. Përveç drejtuesit të veturës që ende nuk po dënohet nga drejtësia, me veprën penale “dhunë” akuzohen edhe babai i Almirit, Sead Aliu, si dhe Sami Demiri dhe Abdulla Aliu.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHI
