Maqedoni

Ligji për gjuhët kalon fazën e parë

15.11.2017 13:50

Ligji për përdorimin e gjuhëve vazhdon në fazën e dytë...

Kuvendi, me shumicë votash, konstatoi se ekziston nevoja për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. 
 
“Gjithsej votuan 107 deputetë. Pro votuan 66, kundër, 41. Të përmbajtur nuk ka. Konstatoj që Kuvendi e miratoi konstatimin e propozuar”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve votoi VMRO-DPMNE, përkatësisht 41 deputetët e koalicionit të kryesuar nga kjo parti nuk e mbështetën këtë propozim-ligj, pasi konsiderojnë se me të nuk zgjidhet kjo çështje, por thellohet hendeku ndëretnik.
 
“Me këtë ligj nuk mbyllen problemet dhe çështjet e marrëdhënieve ndëretnike, përkundrazi, edhe kolegët nga BDI, BESA, ASh dhe PDSh paralajmëruan se ky është vetëm një hap dhe se çështja e përdorimit të gjuhës është e hapur dhe duhet të ketë përmasa të tjera. Dua të them se në këtë procedurë u shkel rregullorja dhe u keqpërdor simboli i BE-së me qëllim që të ulet sasia dhe cilësia e debatit në Kuvendin e RM-së”,- theksoi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
 
BDI pret që VMRO të rishqyrtojë vendimin dhe në fazën e dytë të mbështesë propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve. 
 
“Dua të shpreh keqardhje për vendimin e VMRO-DPMNE-së që do të votojë kundër nevojës për miratim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe uroj që periudha që është para nesh do sjell një reflektim deri tek ata, siç duhej të sjellë reflektim edhe rezultati zgjedhor i zgjedhjeve lokale, ta ndryshojnë qëndrimin, të rreshtohen në përkrahje të barazisë gjuhësore dhe të miratimit të këtij propozim ligji për përdorimin e gjuhës shqipe”,- u shpreh Artan Grubi nga BDI.
 
Shumica parlamentare dhe Lëvizja BESA, edhe pse mbështetën ligjin në fazë të parë, sërish kanë vlerësime të ndryshme për të. 
 
“Me miratimin e nevojës për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, fillon procedura për zgjidhje të plotë të kësaj çështje që është e hapur me miratimin e Marrëveshjes së Ohrit. Me Ligjin e propozuar për përdorimin e gjuhëve përfundimisht do të përmbyllet procesi i zbatimit të MO-së në pjesën e avancimit të të drejtave të njeriut në vend”,- theksoi Tomisllav Tuntev nga LSDM.
 
“Ne edhe më herët kemi thënë se me këtë propozim ligj për përdorimin  e gjuhëve nuk zyrtarizohet gjuha shqipe ashtu siç është kërkesë e partive politike shqiptare, ashtu siç është kërkesë e qytetarëve shqiptarë, ashtu siç është kërkesë e Lëvizjes BESA dhe ashtu siç është e definuar në Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare”,- deklaroi Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA.
 
Sipas propozuesit, përkatësisht Qeverisë, në praktikën e deritanishme janë konstatuar mospërputhje në zbatimin dhe përfshirjen e rregullativës ligjore aktuale, prandaj konstatohet nevoja për rirregullim të materies ligjore që sanksionon përdorimin e gjuhëve.
 
“Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është i pandashëm nga procesi i integrimit europian të vendit, për çfarë flasin edhe konstatimet e Këshillit të Europës viteve të fundit, që udhëzojnë në nevojën për zbatimin e plotë të tij si gurthemel i ndërtimit të mëtejmë të një shoqërie demokratike me karakter multietnik”,- thuhet në arsyetimin e Qeverisë.
 
SHPËTIM NUREDINI