Maqedoni
Ligji për gjuhët në “Argument”, BDI - ASh: maksimumi i mundshëm. BESA ka dilema
15.11.2017 15:20
Përfaqësuesit e partive parlamentare kanë diskutuar për Ligjin e gjuhës në “Argument” në TVM 2...

Për deputetët, Rexhail Ismaili nga BDI dhe Syrija Rushiti nga Aleanca për Shqiptarët, ligji nuk është risi, por obligim i bazuar në amendamentin 5 pa prekur në ndryshimet kushtetuese.
“Ky propozim-ligj avancon përdorimin e gjuhës shqipe dhe buron nga Amendamenti 5 i Kushtetutës së vendit. Kryetari i Parlamentit do të drejtojë seancat në gjuhën shqipe. Gjithçka, çdo dokument do të arkivohet në gjuhën shqipe. Qeveria të njëjtën gjë do ta bëjë. Pllaka ku shkruan “Sobranie na RM” do të shkruajë edhe Kuvendi i RM-së. Un nuk di çfarë niveli zyrtar duhet të ketë gjuha shqipe. Gjithkund do të shkruajë”,- deklaroi Rexhail Ismaili nga BDI.
“Me këtë ligj flet institucioni në gjuhën shqipe, flet shteti, flet pushteti në ekzekutiv, pushteti ligjdhënës, pushteti gjyqësor, drejtoritë, agjencia, ndërmarrjet publike me karakter të përgjithshëm, gjyqësia sikur se thash. Nuk e di, po ta lexojmë ligjin, a ka ndonjë institucion që funksionon në RM që nuk është përmendur ose nuk ka obligim ta respektojë Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe”,- theksoi Syrija Rushiti nga Aleanca për Shqiptarët.
Por, Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA ka shprehur dilemat e partisë së tij rreth ligjit. Paralajmëroi ndërhyrje me amendamente gjatë leximit të dytë të projekt-ligjit për ta përmirësuar të njëjtin.
“Shihe, edhe ne këtu kemi dilemë, unë them diçka, kolegu im Rexhaili thotë diçka tjetër dhe këto janë dilema, dhe këto çështje duhet të qartësohen, d.m.th. brenda ligjit të mos kemi qartësime të tilla. Ne do të propozojmë amendamente që këto situata që ne mendojmë se nuk janë konform asaj që gjuha shqipe të jetë zyrtare me plot kapacitetin e saj, ne mendojmë se nëpërmjet procedurave legjislative, përmes amendamenteve ta japim kontributin tonë",- u shpreh Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA.
Në “Argument” u diskutua edhe zgjedhja e anëtarëve të ri të kabinetit qeverisës. ASh mbetet pjesë e qeverisë, konfirmoi Syrija Rushiti, për të dhënë kontributin e tyre në drejtim të zbatimit të reformave.
Së shpejti, ASh do të dalë me emrin e ministrit të ri të shëndetësisë që do mbështetet nga shumica parlamentare, thotë Rushiti.
NAIM RAMADANI
