Maqedoni

Personat me aftësi të kufizuara, KH: nuk duan privilegje, por të drejtë për barazi

15.11.2017 15:49

Personat me aftësi të kufizuara janë një realitet në mesin e shoqërisë sonë...

Por, në shumicën e rasteve, ata janë të padukshëm për shoqërinë, e sidomos për institucionet.
 
Nga Komiteti i Helsinkit thonë se nuk ka ndonjë progres të veçantë në këto 20 vjet në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, pasi ato nuk janë adresuar nga ana e zbatimit të ligjeve që garantojnë të drejtat themelore të kësaj kategorie të qytetarëve. 
 
“Ky vend nuk ka treguar një ndjenjë të përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara dhe përfshirja nuk mund të ekzistojë përveç rasteve të rënda të incidenteve në shëndetësi, mbrojtje sociale, arsim, punësim... Personat me aftësi të kufizuara kur kërkojnë respekt për të drejtat e tyre, shteti e sheh atë si një kërkesë për privilegje dhe jo si një kërkesë për barazi njerëzore”,- tha drejtoresha ekzekutive e Komitetit të Helsinkit, Urania Pirovska.
 
Autoritetet sërish premtuan të rregullojnë këtë gjendje, duke ndryshuar strategjitë aty ku është e mundur, me theks të veçantë në arsim, mbrojtje sociale e punësime.
 
“Në vend që të flasim për rritjen e shtesave, ne duhet të merremi më tepër me atë se pse sistemi po i bën pasivë, çfarë veprime aktive kemi, si dhe çfarë kualifikime të punës ofrojmë dhe pse këta persona nuk janë të kyçur në shoqërinë e arsimit”,- theksoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.
 
Ambasadori britanik, Çarls Geret, tha se në interes të shoqërisë është që personat me aftësi të kufizuara të jenë sa më shumë të kyçur e të kenë rolin e tyre në shoqëri.
 
“Kemi filluar punën një vit më parë dhe kemi bërë një program të mrekullueshëm dhe përshtypja ime është se përmes këtij projekti është bërë progres, veçanërisht në ndërrimin e vetëdijes publike në drejtimin e duhur”,- u shpreh ambasadori Britanik në Maqedoni, Çarls Geret.
 
Nga Komiteti i Helsinkit sërish përkujtojnë se kur personat me aftësi të kufizuara kërkojnë respekt për të drejtat e tyre nuk kërkojnë privilegje, por të drejta për barazi.
 
GYLTENE SINANI