Kulturë
Hetime për serialin “Maqedonia”, sezoni i parë 80% i paguar, filmi askund
15.11.2017 16:13
Prokuroria Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka futur nën llupën parahetimore të gjitha procedurat rreth serialit të shumëpërfolur, “Maqedonia”...

Pas lajmërimit të Drejtorisë për të Ardhura Publike, Prokuroria Themelore ka hapur procedurë parahetimore për të vërtetuar parregullsitë në kontratën mes Fondit të filmit dhe produksionit që duhej të realizonte serialin.
Nga kjo prokurori thonë se po grumbullohen të gjitha materialet që do të ndihmojnë në vërtetimin e fakteve dhe pritet kompletimi i tyre. Seriali “Maqedonia” ka pasur një buxhet të planifikuar prej 4.6 milionë eurosh që duhet të paguhej për 4 vite. Agjencia e filmit dy vjet më parë ka kaluar në xhirollogarinë e firmës, 80% të mjeteve prej 65 milionë denarësh për xhirimin e sezonit të parë të serialit. Por, kur producentët nuk dorëzuan sipas kontratës, më 4 shtator, asnjë material të xhiruar, siç është obligimi i tyre ligjor, u bë një inspektim i jashtëzakonshëm dhe çështja kaloi në duart e institucioneve kompetente.
Drejtori i Agjencisë së filmit, Goran Tozia, në brifingun e fundit ishte decid se meqë paratë janë paguar por produkti përfundimtar nuk është askund, Agjencia ndërpret çdo bashkëpunim të mëtejshëm me “Jadran Film”, si dhe institucionet kompetente do të hetojnë rastin e do të kërkojnë përgjegjësi për të gjithë personat e involvuar.
Producenti, Vinko Grubishiq, ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, por pa sqaruar në fakt se përse nuk ka respektuar afatin ligjor për dorëzimin e serialit dhe çfarë saktësisht është xhiruar me paratë e paguara nga Agjencia e filmit.
FLUTURA LATIFI
