Ndotja e ajrit në Shkup, subvencione për stufat me paleta

15.11.2017 18:15

Prej sot fillon paraqitja për kompensim të një pjese të shpenzimeve të qytetarëve.....

Prej sot fillon paraqitja për kompensim të një pjese të shpenzimeve të qytetarëve në rajonin e Qytetit të Shkupit për blerje të sobave me peleta.

Të gjithë qytetarët, që kanë blerë soba me paleta, nga dita e shpalljes së thirrjes publike deri më 22 nëntor, do të mund të konkurrojnë për kthimin e 70% të mjeteve të harxhuara, por jo më shumë se 30 mijë denarë përfshirë edhe tatimin personal. Kompensimi është pjesë e strategjisë së qytetit të Shkupit për të stimuluar shkupjanët të shfrytëzojnë burime ripërtëritëse të energjisë, duke mundësuar kështu uljen e  ndotjes së ajrit nga ngrohja e amvisërive.

Të drejtë pjesmarrjeje në konkurs kanë banorët e komunave Çair, Butel, Gazi Babë, Aerodrom, Kisella Vodë, Karposh, Shuto Orizare, Qendër, Gjorçe Petrov dhe Saraj, por jo ata banorë të cilët jetojnë në apartamente me ngrohje qendrore, pa marrë parasysh nëse e shfrytëzojnë ose jo të njëjtën, e as pronarët e objekteve që janë në fazë ndërtimi.

Për më shumë hollësi drejtohuni në qytetin e Shkupit, por shpejtoni të konkurroni, pasi kompensimi edhe sivjet bëhet sipas parimit: kush vjen i pari, kompensohet i pari. Kompensimi do të bëhet deri në përfundimin e mjeteve të dedikuara për këtë qëllim.