Maqedoni

Marshi i Tolerancës “Shih me zemër, prano diversitetin”

15.11.2017 17:55

Personat me aftësi të kufizuara gjenden në margjina të shoqërisë...

Në shekullin XXI, këta persona vazhdojnë të mos kenë qasje të lirë deri tek institucionet, kanë barriera të shumta arkitektonike sa shkelin pragun e derës, shumë prej tyre jetojnë të ngulfatur në lartësi të pallateve pa ashensorë, nuk ka bankomate të specializuara për personat e verbër, fare pak prej tyre mendojnë se vendi i premton shumë për t’u punësuar në të ardhmen.
 
Ata u përpoqën të tërheqin vëmendjen përmes Marshit të Tolerancës të titulluar “Shih me zemër, prano diversitetin”. Prindërit dhe OJQ-të kërkojnë përkujdesje më të madhe institucionale.
 
“Për personat me aftësi të kufizuara, pengesa kryesore për inkluzion nëpër të gjitha sferat e shoqërisë janë barrierat arkitektike të cilat pengojnë qasjen e lirë deri tek institucionet”,- deklaroi Sonja Gjorgjievska nga “Mobilnost Makedonija”.
 
“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve për zgjidhje sistematike të problemeve tona. Zgjidhje joafatshkurta por zgjidhje më afatgjate të cilat njëherë e përgjithmonë do t’i jepen fund problemeve tona që i kemi në përditshmëri”,- u shpreh prindi, Zoran Mijallkov.
 
Mungesa e qendrave ditore të përkujdesjes është problem më vete. Këta persona nuk kanë ku të ndjekin procesin edukativo-mësimor dhe të marrin ndihmën e nevojshme mjekësore gjatë ditës. 
 
“24 orë jemi lidhur me fëmijën që kemi në karrocë invalidore. Asaj i duhet përkujdesje maksimale shëndetësore, për këtë arsye pas 30 vjetëve në Shtip na u mundësua për herë të parë qëndrim ditor i saj  dhe jam i mendimit se qendra të tilla nevojitet të hapen nëpër të gjitha qytetet e vendit”,- theksoi prindi, Dimitar Sarpanov.
 
Marshi i Tolerancës u organizua në bashkëpunim me Komitetin e Helsinkit dhe i njëjti organizohet për të tetën herë në Shkup. 
 
REXHEP QAMILI