Viktimat e terrorizmit, bie indeksi global, rritet ai europian
Edhe pse vdekjet e lidhura me terrorizmin kanë pësuar rënie drastike...

Edhe pse vdekjet e lidhura me terrorizmin kanë pësuar rënie drastike në disa pjesë të botës, jetët e humbura prej akteve të terrorit në Kontinentin e Vjetër kanë prekur nivelin më të lartë në 16 vjet.
Indeksi global i terrorizmit tregon se derisa kanë rënë ndjeshëm sulmet në Afganistan, Siri, Pakistan e Nigeri, në Europë ndodhi e kundërta.
Raporti e cilëson 2016-ën si “vitin e kthesës” në luftën kundër ekstremizmit radikal islamik.
ISIS ishte arsyeja kryesore e rritjes së numrit të vdekjeve në mjaft vende të tjera të zhvilluara, e kjo koincidon me ndryshimin e taktikave të përdorura për sulmet. Metodat e përdorura tani janë më të thjeshta e më pak të kushtueshme.
ISIS-i lidhet me 75% të vdekjeve nga terrorizmi në shtetet e organizatës së bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik OECD që prej vitit 2014.
Një ulje e ndjeshme e nivelit të jetëve të humbura nga sulme terroriste është regjistruar në Nigeri, që në masë të madhe i detyrohet aktivitetit të task-forcës së përbashkët shumëkombëshe që lufton grupin Boko Haram.
Në Siri, Afganistan e Jemen, rrudhja e taktikave të terrorit të rebelëve Huthi, i faturohet bisedimeve sporadike të paqes, të cilat e kanë dhënë një ndihmesë të ndjeshme në qetësimin e situatës.
