Barroso: Statusi kërkon angazhim
Pas marrjes së statusit kandidat, Tirana është vizituar sot nga presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, i cili ka rikonfirmuar mbështetjet e këtij Komisioni ndaj Shqipërisë.......

Pas marrjes së statusit kandidat, Tirana është vizituar sot nga presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, i cili ka rikonfirmuar mbështetjet e këtij Komisioni ndaj Shqipërisë.
Pas takimit me Ramën, ne konferencën e përbashkët për shtyp, presidenti në ikje i KE-së, tha qartë se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian, duke përjashtuar çdo lloj skepticizmi, por bëri thirrje për konsensus politik.
“Dhënia e statusit të vendit kandidat, që tashmë është pranuar në mënyrë unanime nga qeveritë e BE-së, është natyrisht një sukses i madh për Shqipërinë, po ashtu mendoj se është një lajm i mirë për të gjithë rajonin. Statusi i vendit kandidat do të thotë që njihen angazhimet dhe hapat konkret të ndërmarra nga Qeveria muajt e fundit, në mënyrë që të çohet më tej procesi i reformave të kërkuara nga BE-ja, përfshirë edhe reformën në drejtësi. Kam besim që ky kapitull i ri do t’i japë një shtysë tjetër Shqipërisë për t’i trajtuar sfidat me vendosmëri dhe i theksova kryeministrit Rama se për të ecur më tej në rrugëtimin evropian, Shqipëria lipset të intensifikojë qasjen e saj me reformat”, deklaroi Hoze Manuel Barroso, president i Komisionit Evropian.
Ndërsa kryeministri, Edi Rama, deklaroi se së shpejti do të zhvillojë takim me autoritetet serbe, gjë që është vlerësuar së tepërmi nga presidenti Barroso.
“Nuk e marrim statusin si një trofe dhe nuk e konsiderojmë një arritje të njëanshme. Duam të bëhemi anëtarë të BE-së, por për këtë kemi ende detyra të vështira për të realizuar. Presidenti Barroso u interesua dhe për ato që kemi bërë në planin ekonomik dhe unë e informova për një rritje ekonomike të vazhdueshme që ne presim, duke nisur nga ky vit” , tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Barroso ka mbajtur edhe një fjalë në Parlamentin shqiptar, ndërsa është takuar edhe me kryeparlamentarin, Ilir Meta. Më tej, presidenti i Komisionit Evropian është dekoruar nga presidenti, Bujar Nishani, me urdhrin “Flamuri Kombëtar”. (Luljeta Ndoka, TVM2)
