Greqia në zi, rritet në 16 numri i viktimave nga moti i keq

16.11.2017 13:27

Është rritur në 16 numri i viktimave nga moti i keq në Greqi...

Është rritur në 16 numri i viktimave nga moti i keq në Greqi. Vendi është në zi kombëtare treditore pas katastrofës natyrore që goditi të mërkurën tre qyteza të Atikës Perëndimore, pranë Athinës.

Në  Mandra, Nea Perama dhe Elevsina, më shumë se 500 shtëpi dhe dyqane, 350 makina, 50 skafe, dhjetëra autobusë dhe mjete të rënda janë shkatërruar ose kanë pësuar dëme nga ujërat e rrëmbyera dhe balta.

Sipas meteorologëve, brenda tre orëve ra një sasi shiu e barabartë me reshjet që bien gjithë vitin në atë zonë. Nga 23 të lënduarit, 12 trajtohen ende në spitale, një person konsiderohet i humbur, ndërsa 15 psikologë përpiqen të ndihmojnë familjet e viktimave.

Autoritetet vendore kanë shpallur gatishmëri të lartë, pasi shërbimi sinoptik parashikon përkeqësim të motit në orët e ardhshme edhe në shumë zona të tjera të Greqisë. Në të gjithë vendin është hapur debati për veprat publike, ndryshimin e paligjshëm të shtretërve të përrenjve dhe lumenjve, si dhe ndërtimet pa leje që kanë ndodhur në dekadat e fundit.

Mesazhe ngushëllimi qeverisë greke i ka dërguar presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker, ndërsa Qipro dhe Turqia kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmën e tyre.