Zimbabve, ushtria merr kontrollin e kryeqytetit Harare

16.11.2017 12:45

Tensionet janë rritur në Zimbabve pasi ushtria ka marrë kontrollin e kryeqytetit Harare...

Ushtria tha se operacioni është zhvilluar kundër “kriminelëve” rreth presidentit, Robert Mugabe. Një korrespondent i Reutersit në Harare i përshkroi ngjarjet si “grusht-shtet i dukshëm ushtarak”, por tha se mbetet e paqartë nëse operacioni i ushtrisë do të sjellë fundin formal të sundimit gati 40-vjeçar të Mugabes.
 
Udhëheqësit ushtarakë të Zimbabvesë e kanë mbyllur Mugaben në rezidencën e tij më 14 nëntor, ndërsa ushtarët janë vendosur nëpër kryeqytet dhe kanë marrë kontrollin e televizionit shtetëror. Media e Afrikës së Jugut raportoi se ministri i Mbrojtjes i Afrikës së Jugut dhe ai i Sigurisë Shtetërore janë dërguar në Harare si emisarë të presidentit, Jacob Zuma. Ata pritet të takohen me Mugaben dhe lidershipin ushtarak të Zimbabvesë, i cili mohon se ka organizuar puç.
 
Operacioni i ushtrisë ka pasuar luftën për pushtet, përkatësisht mospajtimet për atë që do ta pasonte Mugaben. Nënpresidenti i tij, Emmerson Mnangagva, është shkarkuar javën e kaluar, duke bërë që gruaja e Mugabes, Grace, të jetë pasardhëse e mundshme e presidentit, por duke bërë që zyrtarët ushtarakë të ndjehen të lënë anash. 
 
Mugabe, 93 vjeç, ka dominuar skenën politike të Zimbabvesë prejse vendi ka shpallur pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 1980.