DITA E KOMUNËS SË GOSTIVARIT

Xha Branko merr “Çelësin e Gostivarit”

30.06.2014 17:11

Gostivari prej sivjet shënon 29 qershorin si “Ditë të Komunës”, në përkujtim të formimit të Kuvendit të parë komunal në vitin 1992.........

Gostivari prej sivjet shënon 29 qershorin si “Ditë të Komunës”, në përkujtim të formimit të Kuvendit të parë komunal në vitin 1992.

Me këtë rast, në Komunën e Gostivarit janë vendosur fotografitë e të gjithë kryetarëve që kanë drejtuar Komunën që nga themelimi i saj, ndërkohë që janë mbajtur edhe një sërë aktivitetesh që kulmuan me ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve për të gjithë ata që kontribuuan në zhvillimin dhe promovimin e qytetit, për afaristët, sportistët dhe gazetarët.

Komuna, për herë të parë ndau edhe çmimin “Qytetar nderi” për Branko Manajlloskin, të cilin kreu i Gostivarit, Nevzat Bejta, në arsyetimin gjatë dhënies simbolike të “Çelësit të qytetit”, e cilësoi si “krenaria e kombit, që  me veprën e tij ka korrigjuar faqet e historisë”. Bejta  përkujtoi me këtë rast edhe të arriturat gjatë këtij viti.

“Në emrin tim si kryetar, në emrin e të punësuarve dhe në emrin e të gjithë qytetarëve, në qytetin tonë shpallim “Qytetar Nderi” i vitit 2014, mixhën Branko, njeriu i cili e do natyrën, njeriu i cili e do njerëzinë, njeriu i cili e do gjuhën dhe kombin e vet, njeriu që e do flamurin e vet. Ne mixhës Branko, në emër të të gjithë qytetarëve ia japim “Çelësin e qytetit të Gostivarit”, tha Nevzat Bejta, kryetar i Komunës së Gostivarit.

Para të pranishmëve, fjalën e mori edhe kryetari i parë i Komunës së Gostivarit, Enver Zenku, i cili foli për sfidat dhe për vështirësitë me të cilat është përballur ai si kryetar komune në periudhën që ka drejtuar me Gostivarin.

Të pranishmëve iu drejtua edhe zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi.

“Do bëjë një apel, që qytetarët e Gostivarit të jenë më patriot, t’i paguajnë taksat për buxhetin e Komunës, se ajo u vjen në shërbim të atyre, do ketë shkolla më të mira dhe të rinovuara, do të ketë rrugë më të mira, do ketë pastërti. Ne si pushtet qendror do të insistojmë në programin e ardhshëm dhe ashtu e kemi programin, që t’ju japim më shumë financa komunave, më shumë pushtet”, deklaroi Xhaferi.

“Dita e Komunës” përfundoi me ekspozitën e pjesëmarrësve në koloninë artistike të Shoqatës së artistëve figurativ të Maqedonisë, “Draudacum”, e cila u mbajt në Qendrën për Kulturë në Gostivar. (Lulzim Haziri, TVM2)