Spasovski: Ligj të ri për ndjekje të komunikimeve

16.11.2017 16:18

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, paralajmëroi se po përgatitet....

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, paralajmëroi se po përgatitet ligj i ri për ndjekjen e komunikimeve, ndërsa theksoi se do të këtë ndryshime të ligjeve dhe akteve nënligjore, me qëllim realizimin e reformave që burojnë nga raporti i Pribesë në resorin shtetëror për siguri. Spasovski njoftoi se deri në fund të vitit duhet të përgatitet draft versioni dhe më pas të implementohet, ndërkaq siguroi se momentalisht nuk bëhet ndjekje joligjore e komunikimeve.

“Kjo do të thotë se në periudhën e ardhme ato ligje të detektuara të ndryshohen,  të krijohen kushte teknike për formimin e Agjencisë dhe të kemi funksionalitet për rreth një viti. Unë thashë se për momentin ndjekje joligjore të komunikimeve nuk ka. Ndjekja e komunikimeve, gjegjësisht përgjimet, bëhen për mbrojtjen e rendit kushtetues të Maqedonisë përmes kërkesave deri te Gjykata Supreme dhe përmes prokurorit publik, gjegjësisht gjykatësit të  angazhuar, i cili jep urdhër për ndjekje të komunikimeve për luftë kundër krimit dhe korrupsionit”,- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Sipas Spasovskit, është me rendësi të veçantë që të inkurajohen të gjitha subjektet politike dhe përmes debatit të hapur të gjendet zgjidhje adekuate për mbrojtje të sistemit për ndjekjen e komunikimeve. Për këtë qëllim, Spasovski takoi kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferin, koordinatorët e grupeve parlamentare, anëtarët e Komisionit për mbikëqyrje në DSK dhe Agjencinë për Siguri.

“Ne si deputetë, gjegjësisht si Kuvend, morëm informatat e para për atë se deri ku është procesi. Zotimi i ministrit dhe Qeverisë është që procesi do të jetë inkluziv për të gjithë deputetët dhe grupet parlamentare politike, përfshirë edhe opozitën, që në fakt edhe si pjesëtarë të opozitës ishin në takim këtu”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Spasovski njëherit theksoi se reformat në këtë drejtim janë shumë të rëndësishme, pikërisht duke pasur parasysh përgjimet e fundit joligjore viteve të fundit, që reflektuan me krizë të thellë politike. Pajisjet për përgjim nga DSK do të dislokohen në lokacion tjetër, me qëllim të transparencës dhe profesionalizmit në punë, paralajmëroi Spasovski. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)