Projekt për reformat në media, depolitizim i këshillit programor të RTVM-së
Këshilli programor i RTVM-së në vend të mbrojtjes së integritetit të RTVM-së....

Këshilli programor i RTVM-së në vend të mbrojtjes së integritetit të RTVM-së, në kundërshtim me kompetencat e Ligjit për shërbime audiovizuele, shndërrohet në organ i cili formalizon vendimet e partive në pushtet.
Kështu vlerëson autorja e analizës komperative të këshillave programorë në Maqedoni, Kroaci dhe Slloveni, Liljana Mitevska, sipas të cilës Servisi Publik nuk respekton parimet e transparencës dhe llogaridhënies, dhe në faqen në internet nuk mund të gjinden informacione për strukturën e menaxhmentit apo raportet revizore.
Opinioni për këto gjëra informohet nga mediat tjera, andaj reformat në Servisin Publik janë të patjetërsueshme, theksoi ajo.
“Ministria e Shoqërisë Informatike dhe e Administratës duhet të hapë debat publik për reformimin e Servisit Publik. Duhet hapur debat rreth mundësisë që Kuvendi të emërojë vetëm një pjesë të Këshillit programor edhe atë me dy të tretën e shumicës, mandati të mos rrjedhë njëkohësisht për të gjithë anëtarët e Këshillit programor, të ketë mundësi që ata të zëvendësohen nga kolegë të tyre dhe Këshilli programor të jetë transparent për punën e realizuar dhe rezultatet nga e njëjta”,- deklaroi autorja e analizës, Liljanan Mitevska.
Servisi Publik për vitin 2018 do të marrë 700 milion denarë dhe ky buxhet është për 1 të tretën më i vogël se buxheti për vitin 2016 dhe 2017. Këto mjete nuk mjaftojnë nëse i krahasojmë obligimet që duhet t’i realizojë Servisi Publik vlerëson kryetarja e Këshillit programor të Servisit Publik.
“Servisi Publik ka obligim ligjor të emitojë program në 9 gjuhë, maqedonisht, shqip, turqisht, gjuhën rome, vllehe, serbe, boshnjake, bullgare dhe greke. Duhet të startojë programi i dytë 24 orë në gjuhë shqipe, që është obligim ligjor nga “Përzhina 2”, duhet të ketë servis të tretë për etnitetet tjera, që do të thotë shpenzime të reja, punësime të reja, teknikë të re, vetëm për fillimin e punës së Servisit të Dytë në gjuhën shqipe do të harxhohen 5 milion euro dhe çka do bëhet me obligimet tjera të Servisit Publik?”,- u shpreh kryetarja e Këshillit programor, Snezhana Klincarova.
Ndërkohë, përfaqësueset e kësaj sfere nga Sllovenia dhe Kroacia janë decide se Servisi Publik nuk duhet të financohet nga buxheti shtetëror, por nga pagesa e qytetarëve.
“Zgjidhje stabile për financim ekziston, këta jemi ne nga dy shtete, që dëshmojmë se 90 për qind e qytetarëve paguajnë taksën edhe pse në Slloveni ka krizë financiare, sepse nëse nuk paguhet, është e njëjtë si të mos paguhet tatim ndaj shtetit”,- theksoi anëtarja e Këshillit programor – Slloveni, Brankica Petkovic.
“Financimi duhet të jetë stabil, por ajo nënkupton të paguajnë qytetarët programin tuaj, që qytetarët të kenë besim tek ju, prandaj cilësia, saktësia e informatave është e patjetërsueshme, në të kundërtën do jetë cirk dhe askush nuk do ju shikojë”,- tha ish-presidentja e Trupit rregullator në Kroaci, Mirjana Rakic.
Projekti për avancimin e bashkëpunimit mes shoqërisë civile, institucioneve dhe qytetarëve për zbatimin e reformave në media u financua nga BE. (Flutura Latifi, TVM2)
