Jashari: Vendimi të shqyrtohet në gjykatën e apelit
Pas shpalljes së aktvendimit nga ana e Gjykatës për rastin “Monstra”, me burg të përjetshëm për 6 personat e akuzuar, ka reaguar ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari......

Pas shpalljes së aktvendimit nga ana e Gjykatës për rastin “Monstra”, me burg të përjetshëm për 6 personat e akuzuar, ka reaguar ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
Ai thotë se vendimi ende nuk është i plotfuqishëm dhe i njëjti duhet të kalojë edhe në instancën e Gjykatës së Apelit, ku edhe duhet të dëshmohet e vërteta. Ministri Jashari thotë se çdo herë do të jetë në anën e qytetarëve dhe në bazë të kompetencave të tij, si ministër do të kërkojë që drejtësia të vihet në vend.
“Vlerësoj se aktgjykimi nuk është ende i plotfuqishëm, Gjykatat në Republikën e Maqedonisë duhet të shtojnë kapacitet dhe të mos dënojnë qytetarë të pafajshëm në qoftë se nuk ekzistojnë prova të besueshme. Si ministër i Drejtësisë, pres që gjatë procedurës gjyqësore në shkallë të dytë, të dëshmohet e vërteta. Gjithmonë do të jem në anën e së vërtetës dhe në korniza të autorizimeve të mia ligjore, do të kërkoj që me çdo kusht të respektohet e drejta”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
Tani mbetet që pala mbrojtëse vendimin e shqiptuar nga Gjykata ta kundërshtojë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit ose do të konfirmojë këtë aktvendim, ose do ta kthejë përsëri për shqyrtim. (Afrim Tanallari, TVM2)
