Kulturë

Ndërroi jetë ikona e muzikës, Hanife Sejfullahu - Reçani

17.11.2017 15:10

Pas një sëmundjeje të rëndë, sot ka ndërruar jetë ikona e muzikës folklorike...

Pas një sëmundjeje të rëndë, sot ka ndërruar jetë ikona e muzikës folklorike dhe popullore në rajonin e Pollogut, Hanife Sejfullahu - Reçani.
 
Talentin ia zbuluan mësuesit e muzikës ende pa i mbushur 12 vjeç, të cilët i dhanë përkrahje maksimale në ëndrrën e saj. Me zërin karakteristik, ajo arriti shumë shpejt të bëhej një këngëtare mjaft e njohur, jo vetëm në Gostivar, por në mbarë trojet shqiptare e më gjerë.
 
Hanife Sejfullahu Reçani, kjo doajene  e muzikës sonë, në 50 vite karrierë, la pas vetes një repertor jashtëzakonisht të pasur, me mbi 150 këngë, shumica e të cilave janë tashmë pjesë e arkivit të çmuar të muzikës, në Radio Shkupi dhe TVM2.
 
Ajo do të mbahet mend veçanërisht për këngët “Bien tri dairetˮ, “Prej Tetove në Gostivarˮ, “Moj fusha e Korabitˮ, ˮI hipa vaporitˮ, “Kënga e çobanitˮ, “Kënga e bilbilitˮ etj. Me ndarjen nga jeta të zonjës Hanife Sejfullahu - Reçani, muzika humbi një nga zërat më karakteristikë.
 
TVM2 i shpreh ngushëllime familjes për këtë humbje të thellë. Por, edhe me humbjen fizike, zëri i saj do të vazhdojë të jetë pjesë e programeve të TVM2, sepse zonja Hanife i përkiste epokës së artë të këngëtarëve që lanë gjurmë në muzikën tonë.