Maqedoni
Qeveria, projekt për adoptimin e fëmijëve. UNICEF: çdo fëmijë ka nevojë për familje. Fëmijët pa prindër, Xhaferi: angazhim më i madh nga të gjitha institucionet
17.11.2017 15:29
Fëmijët pa prindër që deri në moshën 3-vjeçare janë të vendosur në institucionet përkujdesëse për këtë kategori fëmijës...

Fëmijët pa prindër që deri në moshën 3-vjeçare janë të vendosur në institucionet përkujdesëse për këtë kategori fëmijës, kanë mundësi më të vogla për zhvillim normal psikik dhe fizik.
Sipas UNICEF-it, familja për një fëmijë paraqet burim të sigurisë, identitetit dhe përkatësisë, dhe kjo fëmijëve nuk mund t’iu mundësohet nëpër institucione. Prandaj është e domosdoshme që të gjenden forma alternative, një prej të cilave është adoptimi i këtyre fëmijëve nga familje që nuk kanë fëmijë.
“Rrugëdalje nga kjo gjendje është bashkëpunimi mes sistemit shëndetësor dhe shërbimeve sociale, për t’u zvogëluar mundësia që prindërit t’i dorëzojnë fëmijët për kujdes në institucione, apo të punohet më intensivisht në adoptimin e fëmijëve nga familjet që do përkujdeseshin për ta. Në Maqedoni ka 72 fëmijë që presin adoptim, ndërsa ka 200 familje të interesuara”,- deklaroi përfaqësuesi i UNICEF-it, Benxhamin Perks.
“Asnjë institucion nuk mundet të kompensojë humbjen e familjes së vërtetë, po ashtu hasim në numër të vogël të infermiereve që kujdesen për këta fëmijë. Ato mund të përkushtohen vetëm për nevojat reale dhe rrallë për ato emocionale për të cilat ka nevojë një fëmijë”,- u shpreh profesori i Fakultetit të Mjekësisë në Notingam, Kevin Braun.
250 fëmijë pa prindër, të të gjitha moshave, gjenden aktualisht në institucionet përkujdesëse.
Kreu i parlamentit, Talat Xhaferi, pranon se ka ngecje në procesin e deinstitucionalizimit, andaj nevojitet punë dhe përkushtim nga shumë faktorë.
“Duhet edhe shumë punë në këtë fushë, angazhim nga faktorët relevantë duke filluar nga Qeveria, ministritë përkatëse, Kuvendi, Obdusmani, me qëllim të vetëm, familje për çdo fëmijë”,- tha kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Projekti qeveritar “Familje për çdo fëmijë”, parashikon që deri në vitin 2020 fëmijët pa prindër të mos vendosen në institucione, por të adoptohen nga familjet që mund t’u ofrojnë atyre dashurinë e munguar të prindërve biologjikë, sepse çdo fëmijë ka të drejtë të ndjejë dashuri, çdo fëmijë e meriton të ketë një familje.
FLUTURA LATIFI
