Maqedoni

Greminger në Shkup, takime me përfaqësues të politikës

17.11.2017 16:17

Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Tomas Greminger, po qëndron në Shkup në kuadër të vizitës së tij të parë në Maqedoni...

Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Tomas Greminger, po qëndron në Shkup në kuadër të vizitës së tij të parë në Maqedoni, pas marrjes së funksionit në korrik të vitit 2017.
 
Në takimin e parë me shefin e Diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, u diskutua rreth bashkëpunimit të ardhshëm. Dimitrov ka shprehur falënderim  ndaj kësaj organizate për bashkëpunim dhe përkrahjen që ka ofruar në klimën e re politike, reformat, prioritetet qeveritare dhe veprimtaritë  në të ardhmen.
 
Gjithashtu Dimitrov ka informuar Gremingerin për  aktivitetet aktuale dhe të ardhshme të qeverisë me theks të veçantë për planin 3-6-9, i cili tashmë ka hyrë në fazën e dytë të implementimit.
 
Ai ka shpalosur edhe angazhimin e qeverisë për përmirësimin e gjendjes në sundimin e së drejtës dhe të drejtësisë në gjykata, për të drejtat dhe liritë e njeriut, lirinë e mediave dhe për kodin zgjedhor. 
 
Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Greminger, në takim ka lavdëruar autoritetet për tejkalimin e krizës politike, si dhe ka siguruar përkrahjen e mëtutjeshme në drejtim të reformave qeveritare, bëjnë të ditur nga MPJ. 
 
Greminger ka takuar edhe kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferin, dhe koordinatorët e  partive politike. 
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU