Integrimi i Ballkanit perëndimor, Hahn: 2025-ta, viti i Ballkanit perëndimor
Në konferencën e përbashkët për shtyp në Bruksel me shefen e diplomacisë europiane, Federica Mogherini...

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Bruksel me shefen e diplomacisë europiane, Federica Mogherini, dhe kryetaren e Qeverisë serbe, Ana Brnabic, komisioneri i zgjerimit, Johannes Hahn, përmendi për të parën herë një datë konkrete të mundshme aderimi për vendet e Ballkanit perëndimor. Serbia dhe i gjithë rajoni, deklaroi ai, mund t’i bashkohen bllokut europian edhe më përpara nga sa pritet. Viti 2025, sipas zyrtarit të lartë evropian, është një datë e prekshme anëtarësimi.
“Si komisioner që merret me këtë proces çdo ditë mund të them se kjo datë, 2025-ta, është vërtetë ambicioze, por duhet të theksoj këtu se nisur nga kontributi dhe pjesëmarrja e gjithsecilit, ajo mund të cilësohet edhe si një datë vërtetë e realizueshme. Nuk duhet gjithsesi të harrojmë se bashkimi me BE-në pas 8 vitesh kërkon përfundimin e të gjithë punës përgatitore; negociatat duhet të mbyllen rreth 2023-shit, sepse pas kësaj vjen edhe procesi i ratifikimit”,- deklaroi komisioneri për zgjerimin e BE-së, Johanes Hahn.
MOGHERINI: NË 2 VITET E ARDHSHME PRESIM TË SHOHIM PËRPARIM
Komentet e Hahnit vijnë pas takimit të katërt të Këshillit të stabilizimit Serbi-BE, në të cilin shefja e Diplomacisë europiane, Federika Mogherini, deklaroi se dyert e unionit mbeten të hapura për Ballkanin perëndimor. Për mua është e qartë se Ballkani, si një i tërë, duhet të jetë dhe do të jetë pjesë e Bashkimit Europian, tha Mogherini.
“I kam vënë vetes një qëllim, që deri në fund të mandatit të Komisionit Europian në dy vitet e ardhshme, të shohim një përparim praktik dhe të prekshëm të të gjashtë partnerëve tanë nga Ballkani perëndimor, i cili do ta bëjë rrugën e tyre drejt BE-së të pakthyeshme”,- tha shefja e Diplomacisë Europiane, Fererica Mogherini.
Shefja e Diplomacisë europiane kujtoi premtimin e bërë vite më parë në Selanik dhe kjo mbështetje e qartë e të gjithë 28 vendeve anëtare u përsërit edhe një herë në marsin e këtij viti. (Gyltene Sinani, TVM2)
