Kadriu: “Monstra”, ”nijeti” i pushtetit
Aktvendimi i Gjykatës për rastin “Monstra” është “nijet” i Pushtetit Ekzekutiv dhe unë besoj se nuk ka gjykatës të guximshëm, i cili do të sillte një aktgjykim tjetër..........

Aktvendimi i Gjykatës për rastin “Monstra” është “nijet” i Pushtetit Ekzekutiv dhe unë besoj se nuk ka gjykatës të guximshëm, i cili do të sillte një aktgjykim tjetër. Kështu e komenton aktvendimin e Gjykatës që të akuzuarit të dënohen me burg të përjetshëm, eksperti juridik, Bekim Kadriu.
Sipas tij, që nga fillimi i procedurës, në Gjykatë janë shkelur dy parime të së drejtës penale, prezumcioni i pafajësisë dhe parimi se çdo dyshim shkon në favor të të akuzuarit, prandaj dhe aktvendimi i sotëm, sipas tij, ishte i pritur.
“Prezumcioni i pafajësisë dhe insistimi nga shumë qendra të ndryshme se të akuzuarit janë kryerës të veprës penale, kanë ndikuar edhe te gjykatësit edhe te Këshilli Gjyqësor, që të sjellin një vendim të këtillë. Kjo gjë mund të argumentohet edhe me faktin që Pushteti Gjyqësor në RM është shumë i ndikuar nga Pushteti Ekzekutiv dhe kur Pushteti Ekzekutiv, përkatësisht MPB-ja e ka bërë “nijet”që këto persona t’i shpall fajtor, unë nuk besoj se ka pasur gjykatës të guximshëm, i cili do të sillte një aktgjykim tjetër”, deklaroi eksperti juridik, Bekim Kadriu.
Kadriu, është skeptik se ky rast gjyqësor mund të gjejë shpëtim në instancat tjera më të larta gjyqësore.
“Gjithë situata se si funksionon Pushteti Gjyqësor në RM, paraqitja e vrasjes në një moment konkret, qasja e MPB-së, qasja e prokurorit publik në këtë situatë, nuk mendoj që mund të presim ndonjë zgjidhje më të drejt në Gjyqësorin e RM-së. Për fat të keq, mendimi im është që do të duhet shpresa të shihet te Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, theksoi eksperti juridik, Bekim Kadriu.
Kadriu sqaron se nëse Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut sjell një vendim në favor të të akuzuarve, atëherë pushteti i brendshëm do të duhet të organizojë një rigjykim, por edhe ky rigjykim, sipas tij, varet nga raporti i shtetit me Këshillin e Evropës. (Sanije Kasami, TVM2)
