Rruga drejt integrimeve, Mehmeti: Reformat rrënjësore u bënë hapa prapa
Zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë dhe bashkëpunimi i ndërsjellët më shtetet fqinje....

Zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë dhe bashkëpunimi i ndërsjellët më shtetet fqinje janë hapat e parë që Maqedoni duhet t’i ndërmarrë për një siguri të përgjithshme në shtet dhe rajon, shprehen ekspertët juridikë.
Sipas ish-deputetes, Ermira Memeti, Maqedoni është kthyer shumë prapa dhe ka shumë punë për të bërë. Memeti thotë se fillimisht duhet një reformë rrënjësore e sistemit të sigurisë së brendshme dhe atë shtetëror, dhe reforma në politikë dhe ekonomi.
“Maqedoni fillimisht duhet të rikthehet nga rruga që e ka humbur dhe pastaj të flasim për ecje përpara. Maqedonia, si fillim duhet të bëjë një reformë rrënjësore të sistemit të sigurisë së brendshme apo sigurimit shtetëror, sepse dy vitet e kaluara kanë treguar se gjatë dhjetë viteve të kaluara ky sistem ka dështuar tërësisht dhe është vënë në shërbim të partisë dhe jo të shtetit”,- deklaroi ish-deputetja, Ermira Memeti.
SKANDALI I PËRGJIMEVE, SELMANI: KAPITULLOI SISTEMI DUKE U SHKELUR LIGJET
Profesori, Bashkim Selmani, përkujton aferën e përgjimeve duke potencuar se dalja e informacioneve të një shteti do të thotë kapitullim i sigurisë.
“Ju e shihni skandalin që ndodhi kohët e fundit e përgjimeve, që nënkupton se dhe ligjet që ishin, nuk është problem i ligjeve a janë pozitivë dhe sa janë funksionalë, por pikërisht është faktori njeri që ka bërë lëshime dhe përgjegjësi, ende nuk ka dalë në sipërfaqe. Dalja e një informacioni të një shteti do të thotë vetë kapitullimi i sigurisë, qoftë ajo jeta civile apo private në përgjithësi e individitit”,- tha eksperti për çështje të sigurisë, Bashkim Selmani.
RRUGA DREJT INTEGRIMEVE, NUHIU: TË PUNOJMË PËR REFORMAT QË I KËRKON BE
Zëvendësministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, thotë se institucionet kanë shumë punë përpara për çrrënjosjen e korrupsionit, sundimin e së drejtës dhe përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët, që janë prioritet në rrugën integruese.
“Tani mbetet detyrë e shtetit të bëjë një shkëputje nga krimi i korrupsionit që e kaploi sistemin, të shuajë irredentizmin e thelluar me Greqinë dhe të synojë zgjidhjen e emrit, të forcojë marrëdhëniet me fqinjët e tjerë, me Bullgarinë dhe dy shtetet tjera shqiptare, atë të Kosovës dhe Shqipërisë, të vendos një orientim të ri drejt strukturave të NATO-s dhe BE-së, dhe një largim të ndikimit rus”,- u shpreh zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu.
Komentet u bënë në konferencën e katërt shkencore të organizuar nga Universitetit i Tetovës kushtuar sfidave të sigurisë dhe standardeve universale në procesin integrues euroatlantik. (Visar Sadiki, TVM2)
