Sulmi ndaj Kuvendit të Kosovës, burg për deputetin dhe aktivistët e Vetëvendosjes

17.11.2017 17:21

Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli fajtor deputetin e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqin....

Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli fajtor deputetin e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqin, si dhe tre aktivistët e tjerë të kësaj partie, që akuzoheshin për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

Gjykata dha dënimin me 8 vjet burg për deputetin Krasniqi, 6 vjet për Atdhe Arifin, 5 vjet e 6 muaj për Egzon Halitin dhe 2 vjet burg për Adea Batushën. Gjatë shpalljes së vendimit në sallë u ngritën tensionet dhe policia nxori jashtë të gjithë të pranishmit, përfshirë edhe mediat.

Vetëvendosje e cilëson vendimin si masakër në drejtësi. Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se shpallja e dënimit dy ditë para votimeve në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale ka prapavijë politike, që si qëllim ka edhe dëmtimin e Vetëvendosjes në procesin zgjedhor.

Edhe familjarët e të dënuarve kundërshtuan vendimin gjyqësor. Sulmi ndaj ndërtesës së Kuvendit ndodhi në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit të kaluar, pak kohë pasi Qeveria dërgoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Lidhur me këtë rast, të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në nëntor të vitit të kaluar.