Integrimet euroatlantike, Zhbogar: Maqedonia, në rrugën e duhur

17.11.2017 17:30

Bashkimi Europian i sheh me optimizëm përpjekjet që po bën Maqedonia në rrugën e saj euroatlantike...

Bashkimi Europian i sheh me optimizëm përpjekjet që po bën Maqedonia në rrugën e saj euroatlantike. Presim që qeveria dhe institucionet të tregojnë përkushtim dhe rezultate në lidhje me reformat, tha euroambasadori në Shkup, Samuel Zhbogar.

“Ajo që ne e shohim është një optimizëm i përgjithshëm se punët zhvillohen në drejtim të duhur, se reformat që i presim në vend fillojnë të zbatohen dhe e inkurajojmë qeverinë të vazhdojë në këtë rrugë”,- deklaroi ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.

Në pyetjen e gazetarëve nëse bashkësia ndërkombëtare mund të kryejë presion ndaj Greqisë për hyrje të Maqedonisë në NATO, ambasadori theksoi se çdoherë është me rëndësi që çështjet të zgjidhen nëpërmjet dialogut në mes dy palëve.

“Gjithnjë është më e mirë përpjekja për të zgjidhur çështjet me dialog dhe për të gjetur zgjidhje, e cila do t’i bënte dy palët të lumtura. Nuk është zgjedhje nëse vetëm njëra anë është e kënaqur. Të gjitha kompromiset bazën e kanë në pranimin e vendimit. Kjo është mënyra e vetme që të vihet në zgjidhje afatgjate”,- tha ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.

KONTESTI PËR EMRIN, NIMIC TAKON NEGOCIATORËT MË 11-12 DHJETOR

Ndryshe, ndërmjetësi i KB-së në bisedimet për çështjen e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, Methju Nimic, ka caktuar takim me përfaqësuesit e dy vendeve në Bruksel, më 11 dhe 12 dhjetor.

OSMANI - IVANOV, OSMANI: 2018, SHANSI HISTORIK PËR HAPËRIM

Zbatimi i reformave, ishte temë diskutimi edhe gjatë takimit midis zëvendëskryeministrit për çështje evropiane, Bujar Osmanit, dhe presidentit, Gjorge Ivanov. Osmani nga Ivanovi ka kërkuar mbështetje për procesin dhe mbështetje për sigurimin e konsensusit politik, njofton kabineti i zëvendëskryeministrit Osmani. Në takim, Osmani ka potencuar se strategjitë dhe planet aksionale të përfshira në Planin 3-6-9, në vete ngërthejnë të gjitha rekomandimet e dhëna nga ana e partnerëve dhe institucioneve relevante. Me ketë, sipas Osmanit,  pakoja e reformave rrumbullakoset dhe pas implementimit të të njëjtave pritet mënjanimi i rekomandimit të kushtëzuar, si dhe pritet raport pozitiv me rekomandim të ri të pastër nga ana e Komisionit Europian.

“Kemi mundësi të papërsëritshme që në vitin 2018 të bëjmë hapërimin historik dhe të mbyllim çështjen e BE-së dhe NATO-s. Është e nevojshme që të lihen anash prioritetet tona personale, partiake, e madje edhe prioritetet etnike, të formojmë konsensus për reforma dhe të arrijmë rezultate”,– theksoi Osmani.

Ndryshe, ndërmjetësi i KB-së në bisedimet për çështjen e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, Methju Nimic, ka caktuar takim me përfaqësuesit e dy vendeve në Bruksel, më 11 dhe 12 dhjetor. (Naim Ramadani, TVM2)