Sistemi “Tetra” në MPB, sistem bashkëkohor digjital për polici efikase
Policia ka sistem bashkëkohor dhe digjital të komunikimit të brendshëm....

Policia ka sistem bashkëkohor dhe digjital të komunikimit të brendshëm. Sistemi “Tetra” zëvendësoi 99% të sistemit të vjetër analog të radiostacioneve të komunikimit të policisë, ndërsa zhvillimi i tij i mëtutjeshëm dhe përdorimi i tij profesional gjithmonë mund të kontribuojnë për të pasur polici më efikase në vend, tha numri një i policisë, Oliver Spasovski, gjatë vizitës së tij në Sektorin policor të Brendshëm në Shkup.
Spasovski dhe ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar, panë sot funksionimin e këtij sistemi në praktikë.
“Me ndihmën e BE-së na është mundësuar të kemi radio komunikim digjital të policisë dhe falë atyre është shkyçur sistemi analog i komunikimit të policisë dhe normalisht zhvillimi i këtij sistemi është gjithmonë i mirëseardhur”,- tha ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
Reformat në polici janë ndër prioritetet kryesore të Bashkimit Europian për Maqedoninë. Për këtë arsye BE ka financuar tërësisht implementimin e sistemit “Tetra”.
“BE në tre fazat e implementimit të sistemit digjital deri tani ka dhënë gjithsej 20 milion euro. Ne konsiderojmë se komunikimi i sigurt i policisë është thelb kryesor për të kryer me efikasitet detyrat e policisë”,- theksoi ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.
Deri tani, mbi 6000 mijë punonjës policorë e përdorin sistemin digjital të komunikimit. Sistemi “Tetra” në Maqedoni zbatohet prej vitit 2005 dhe i njëjti është implementuar në disa pjesë të ndihmës së shpejtë dhe të Brigadës së zjarrfikësve. (Rexhep Qamili, TVM2)
