Hahn në Shkup, në fokus agjenda integruese e vendit
Eurokomisari për Zgjerim, Johanes Han, po qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Shkup....

Eurokomisari për Zgjerim, Johanes Han, po qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Shkup, ku do të ketë takime politike edhe me përfaqësues të sektorit civil.
Komisari Hahn, përveç me kryeministrin Zaev, takim të përbashkët do të realizojë me zëvendëskryeministrin e obliguar për Çështje Europiane, Bujar Osmanin, dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovskin, të Drejtësisë, Bilen Salijin, dhe të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevskin.
Në takim, siç kumtoi Sekretariati për Çështje Europiane, Osmani do të prezantojë pakot e reja për reforma 6 dhe 9, të cilat paraqesin plotësim të Planit 3-6-9, e në të cilat përfshihen reformat që dalin nga të gjitha rekomandimet e Komisionit Europian, si dhe nga institucionet tjera relevante ndërkombëtare.
Qasja e veçantë rreth reformave prioritare në fushat kuçe, në gjyqësor, reformat në shërbimet e sigurisë, si dhe reformat në administratën publike, në detaje do të prezantohen nga ministrat kompetentë të resorëve, të cilët janë përgjegjës për përgatitjen dhe implementimin e tyre Spasovski, Saliji dhe Mançevski.
Osmani eurokomisarit Han do t’ia prezantojë edhe pjesët kyçe të raportit për implementimin e pjesës tre të Planit 3-6-9, i cili u kurorëzua me mbajtjen e zgjedhjeve të lira, korrekte dhe kredibile.
Eurokomisari Han më pas në Kuvend do të ketë takim me kryetarin, Talat Xhaferin, dhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, atë të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskin, dhe të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.
Në kuadër të vizitës, eurokomisari do të takohet edhe me përfaqësues të sektorit joqeveritar.
