Maqedoni

Meta në Shkup, takime me Ivanovin dhe Xhaferin, mbështetje integrimit të Maqedonisë në NATO

20.11.2017 15:20

Me padurim presim që Maqedonia të marrë vendin e merituar në NATO...

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk janë vetëm faktor ekzistues, por edhe përcaktues për integrimin e vendeve në BE. Kështu u shpreh presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, pas takimit me homologun e tij maqedonas, Gjorge Ivanov.
 
Me këtë rast, Meta përshëndeti qëndrimin e Maqedonisë ndaj Kosovës dhe orientimin e politikës shqiptare në Maqedoni drejt stabilitetit, bashkëjetesës dhe integrimit euroatlantik.
 
“Të gjithë presim me padurim që Maqedonia të zë vendin që i takon prej kohësh në NATO dhe të synojë progres të dukshëm për anëtarësim në BE. Në këtë drejtim shpresojmë dhe inkurajojmë dialogun për të kapërcyer çështjet që janë bërë pengesë deri më tani. Po ashtu inkurajojmë forcën e mëtejshme të bashkëjetesës ndëretnike në Maqedoni dhe përveç  progresit në vijim për çështjen e gjuhës edhe për të gjitha çështjet e tjera besojmë që do të ketë një ndryshim të mirëpritur”,- deklaroi kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta.
 
Meta u pyet nga gazetarët edhe për vendimin gjyqësor për grupin e Kumanovës.
 
“Nuk mund të ndërhyj në çështje konkrete që kanë të bëjnë me funksionimin e drejtësisë dhe ligjit në Maqedoni, por shpresoj, dëshiroj dhe inkurajoj që fazat e tjera të këtij procesi të gjykimit të jenë sa më transparente dhe sipas të gjitha standardeve europiane dhe shpresoj që edhe autoritetet e Maqedonisë, në mënyrë të veçantë ato gjyqësore, të jenë të interesuara të demonstrojnë standarde europiane, përderisa anëtarësimi në BE dhe NATO është një qëllim i përcaktuar i Maqedonisë”,- theksoi kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta.
 
Meqë Shqipëria është anëtare e NATO-s, presim që tani ta tërheq Maqedoninë dhe t’i japë përkrahje në këtë proces, deklaroi presidenti Ivanov.
 
“Maqedonia pret që Shqipëria ta tërheq që të jetë anëtare e NATO-s, ndërsa në raport me BE-në, gjithçka që ka arritur Maqedonia dhe të gjithë përvojën do t’ia lë në dispozicion Shqipërisë”,- u shpreh kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
 
Ivanov me këtë rast u prononcua edhe për qëndrimin e tij ndaj Ligjit për gjuhët, i cili ka prioritet të avancojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni.
 
“Sa i përket Ligjit të gjuhëve, me vëmendje të madhe ndjekim gjithë procesin unë dhe kabineti im, dhe në momentin kur do të arrijë ligji për firmosje të dekretit, do të deklarohem, por me siguri që vendimi im do të jetë në harmoni me kushtetutën dhe ligjet e Maqedonisë”,- theksoi kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
 
Raportet mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe vendeve tjera rajonale janë një domosdoshmëri e një bashkëpunimi më të forcuar me qëllim që të sfidohen të gjitha pengesat që vijnë nga globalizmi, theksuan dy presidentët, ndërkaq shprehën nevojën e rritjes së bashkëpunimit në sferën e energjetikës, turizmit, transportit dhe biznesit. Presidenti Meta u prit edhe nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi. Edhe në këtë tak kanë zënë vend marrëdhëniet mes dy vendeve, integrimet në NATO dhe BE, si dhe zhvillimet në rajon. 
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU