ITShKShM, pullë postare me figurën e Faik Konicës

20.11.2017 15:50

ITShKShM në kuadër të shënimit të 10 vjetorit të ekzistimit, në bashkëpunim me Postën e Maqedonisë....

ITShKShM në kuadër të shënimit të 10 vjetorit të ekzistimit, në bashkëpunim me Postën e Maqedonisë dhe në vazhdën e aktiviteteve të shënimit të 109 vjetorit të alfabetit të gjuhës shqipe, promovoi pullën postare me figurën e Faik Konicës. Shtypja e pullave postare me figurën e Faik Konicës, një nga personalitetet më të shquara shqiptare, ndikon në promovimin e historisë shqiptare, tha zëvendëskryeministri, Hazbi Lika.

“Ky projekt ne na bën të jemi pjesë aktive e historisë, pjesë aktive e asaj që sot po jetojmë dhe natyrisht edhe pjesë e asaj të cilën do ta ndërtojmë bashkërisht”,- tha zëvendëskryeministri, Hazbi Lika.

Pullat postare janë ambasadorë të cilët prezantojnë kulturën dhe historinë e kombeve nëpër botë, prandaj pullat postare me figurat e lavdishme historike bën që ato personalitete të mbeten të kujtuar në memorien kolektive të popujve. 

“Është një punë kolosale dhe që institucionalizon historinë, kulturën dhe traditën shqiptare në këto treva dhe do të jetë shembull për shumë institucione tjera se si duhet vepruar”,- theksoi drejtori i ITShKSh-së, Skender Hasani.

“Pullat postare në vetvete ngërthejnë dy komponente të rëndësishme, e para është me karakter komercial dhe e dyta jo më pak e rëndësishme është se përfaqëson medium të llojit të vet si për operatorin postar ashtu edhe për shtetin”,- u shpreh drejtori i Postës së Maqedonisë, Faadis Rexhepi.

“Faik Konica ka qenë njeri i cili në mënyrë komplekse e ka krijuar sintezën më të fuqishme në kërkimin e identitetit shqiptar, atë e ka ndjerë me jetën e vet, me krijimtarinë e vet, me kontradiktat që i ka pasur në vete”,- potencoi akademiku, Luan Starova.

Për shënimin e 109 vjetorit të alfabetit të gjuhës shqipe janë paraparë një sërë aktivitetesh, ndërsa manifestimi qendror do të mbahet në Muzeun e alfabetit në Manastir më 22 nëntor. (Ersan Pajaziti, TVM2)