Maqedoni
Ndryshimet në Ligjin për mediat, Sindikata e RTVM-së dhe ShGM me vërejtjet e tyre; Përfaqësuesit e qeverisë: Servisi Publik nuk do të mbetet pa mbështetje
20.11.2017 16:30
Financimi i RTVM-së me më së paku 1 për qind prej buxhetit, mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të RTVM-së dhe të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele...

Financimi i RTVM-së me më së paku 1 për qind prej buxhetit, mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të RTVM-së dhe të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele, gjobat e paralajmëruara prej 1.500 deri më 5.000 euro për mosrespektimin e rregullave gazetareske dhe rritja e rrogës minimale e gazetarëve në përgjithësi, ishin temat në të cilat u përqendrua debati rreth draft versionit të Ligjit për shërbime audio dhe audio-vizuele.
Sindikata e RTVM-së dhe ShGM nuk pajtohen që të hiqet praktika e deritanishme e propozimit të kandidatëve për anëtarë nga disa institucione shtetërore dhe në vend të kësaj me konkurs të përzgjedhen anëtarët e rinj.
“Nëse nuk sigurohen fonde të mjaftueshme financiare prej së paku 1% për Servisin Publik, nuk mund të pritet pavarësi politike e RTVM-së. Shpesh paralajmëroni se do t’i përforconi kapacitetet, por nuk e kam të qartë se si do ta bëni këtë, kur nga ana tjetër parashikoni më pak mjete se sa që ka pasur deri tani RTVM”,- theksoi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
“Për RTVM-në duhet të ketë ligj të veçantë, ku në të do të jetë gjithçka e rregulluar. Kështu siç po parashikohet tani, vetëm në mënyrë shtesë do të vështirësohen punët e funksionimit të Servisit Publik”,- tha Sllagjana Milivojeviq nga Sindikata e RTVM-së.
Këshilli i RTVM-së aktualisht numëron 13 anëtarë, por përfaqësuesit e Qeverisë nuk përjashtojnë mundësinë që në ligjin e ri të parashikohet shkurtimi i numrit të anëtarëve.
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski, dhe ministri pa portofol, Robert Popovski, paralajmërojnë se është e mundur që nga viti në vit të rritet përqindja e financimit të Servisit Publik.
“Me këto 0.7% kemi për qëllim fillimisht të stabilizojmë RTVM-në, ndërsa angazhimi ynë mbetet që gjatë periudhës 4-vjeçare të arrihet financimi i Servisit Publik me 1% prej buxhetit dhe ne në këtë drejtim po punojmë”,- u shpreh ministri pa portofol, Rober Popovski.
“Nëse në të ardhmen paraqiten probleme me financimin, përkatësisht me mungesën e mjeteve për Servisin Publik, normalisht se Qeveria do të reagojë për të zgjidhur problemet dhe në këtë drejtim nuk duhet të ketë askush dyshime”,- theksoi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.
Përfaqësuesit e Qeverisë gjithashtu u shprehën të gatshëm që nga viti i ardhshëm të fillojnë pjesërisht të shlyejnë borxhet e RTVM-së dhe të hiqen gjobat e paralajmëruara. Propozimet e ndryshme për këtë ligj mund të jepen më së voni deri më 30 nëntor.
Pas këtij afati, OSBE duhet të japë propozimet e fundit për të përpiluar versionin e parë të ligjit. Pas miratimit në Qeveri, do të nevojiten 2/3 e votave të deputetëve për të miratuar ligjin.
REXHEP QAMILI
