Botë

KQZ: Numërimin i votave, me kusht brenda pak ditësh

20.11.2017 16:52

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se pas përmbylljes së suksesshme të procesit të djeshëm të votimit...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se pas përmbylljes së suksesshme të procesit të djeshëm të votimit, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke vazhduar puna sipas detyrimeve ligjore, pa saktësuar se kur do të fillojë numërimi i votave me kusht.
 
Pas përfundimit të të gjitha procedurave, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të paraqesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një raport të detajuar lidhur me numrin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës. Në Qendrën e Numërimit është duke u punuar me kapacitete të plota dhe KQZ-ja është e përkushtuar që brenda pak ditësh të fillojë me numërimin e këtyre votave për të proceduar më tej drejt shpalljes së rezultateve përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune”,- thuhet në një njoftim të KQZ-së. 
 
Pikërisht votat me kusht do ta vendosin fituesin në kryeqendrën e Kosovës dhe në qytetin historik të Prizrenit, pasi në Prishtinë për rreth 300 vota aktualisht kryeson Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes ndaj Arban Abrashit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
 
Ndërsa në Prizren, Mytaher Haskuka i VV-së prin me vetëm 329 vota diferencë ndaj Shaqir Totajt të PDK-së. Në Prishtinë janë rreth 1.800 vota me kusht, ndërsa në Prizren rreth 1.600 vota, që do të thotë se për të mësuar fituesit e zgjedhjeve në këto dy komuna duhet pritur edhe disa ditë.