Maqedoni

Rasti “Dhuna në Qendër”, Tomisllav Llazarov e pranon fajin, Gruevski dhe Janakievski ndjehen të pafajshëm

20.11.2017 17:32

Fillimi i gjykimit për rastin “Dhuna në qendër” ka shënuar kthesë në gjykim pasi i akuzuari, Tomisllav Llazarov....

Fillimi i gjykimit për rastin “Dhuna në qendër” ka shënuar kthesë në gjykim pasi i akuzuari, Tomisllav Llazarov, koordinator i atëhershëm i grupit të këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së në komunën Qendër, e pranoi fajin dhe akuzat për të cilat ngarkohet nga Prokuroria Speciale.
 
Ai tha se ndjehet fajtor dhe se prej kësaj distance kohore është penduar thellë. Para trupit gjykues theksoi se asnjëherë më në të ardhmen nuk do ta kishte përsëritur këtë vepër, ndërsa deklaratën tha se e jep i vetëdijshëm, pa ndikim dhe dhunë.
 
“Gjithçka që pata të them e thashë në gjykatë. Ju lutem për mirëkuptim”,- u shpreh i akuzuari, Tomisllav LLazarov.
 
Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe ish-kryeministër, Nikolla Gruevski, i cili është i akuzuari i parë në lëndën "Dhunë në Qendër", u shpreh se nuk ndjehet fajtor për veprën për të cilën e akuzon Prokuroria Speciale.
 
Si të pafajshëm në këtë proces u shpreh edhe ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, deputetja, Daniella Rangellova, e cila gjatë ngjarjeve ishte këshilltare në komunën Qendër dhe 9 të akuzuarit e tjerë. Gruevski nuk deshi të komentojë se këshilltari i partisë së tij, i akuzuar për veprën e njëjtë, e pranoi fajin para gjykatës, duke theksuar se ai të njëjtën mund ta ketë bërë për arsye personale.
 
“Nuk do të kisha mundur të komentoj. Ai mundet, ka arsye personale se pse veproi ashtu, më së miri është atë ta pyesni. Unë u deklarova për vete, si gjithë të tjerët”,- u shpreh i akuzuari, Nikolla Gruevski.
 
Pas pranimit të fajit nga ana e Tomisllav Llazarovit, prokurorja speciale, Fatime Fetai, theksoi se dhuna për këtë ngjarje juridiko-penale ka dalë nga truri i Nikolla Gruevskit, ndërsa pas tij vjen i dëgjueshmi i tij, Mile Janakievski. Ajo theksoi se ky pranim i fajit është hap pozitiv për procesin e mëtutjeshëm gjyqësor për këtë rast.
 
“Kuptohet se pritet vendim për të dënuar, sepse ka pranim të fajit, megjithatë për sanksionin penal do të shohim, gjykata do t’i vlerësojë ato rrethana, ndërsa më pas do të mund të prononcohemi”,- theksoi prokurorja speciale, Fatime Fetai.
 
Paraprakisht avokatët e të akuzuarve kërkuan shtyrje të debatit kryesor. Në fillim të gjykimit i akuzuari i shtatë, Dimçe Kërstev, kërkoi shtyrje të gjykimit, sepse nuk është ndjerë mirë, andaj për të do të ketë proces të veçantë. 
 
Seanca gjyqësore për shqiptimin e dënimit për Tomisllav Llazarovin është caktuar për më 24 nëntor, ndërsa seanca gjyqësore për të akuzuarit e tjerë për rastin “Dhuna në Qendër”, më 29 nëntor. Njëherit po gjatë ditës së sotme, për shkaqe procedurale, u anulua seanca gjyqësore për rastin “Mitmarrja”, ku i akuzuar është kryeministri, Zoran Zaev.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI